Sekretari i Mbrojtjes James Mattis do të largohet nga posti që mban në muajin shkurt, sipas një njoftimi të presidentit Trump të enjten.
"Gjenerali Jim Mattis do të dalë në pension, me nder, në fund të muajit shkurt, pasi ka shërbyer në administratën time si Sekretar i Mbrojtjes për dy vitet e shkuara", sipas postimit të presidentit Trump në twitter. "Gjatë kohës që shërbeu, u arrit përparim i jashtëzakonshëm, veçanërisht përsa i përket blerjes së pajisjeve të reja luftarake. Gjenerali Mattis ka qënë një ndihmesë e madhe për mua për t'i bërë aleatët dhe vendet e tjera të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve të mbrojtjes. Sekretari i ri i Mbrojtjes do të emërohet së shpejti. Një falenderim i madh për Jim-in për shërbimin e tij!"
Lajmi për largimin e zotit Mattis doli një ditë pasi presidenti Trump njoftoi se trupat amerikane do të largohen nga Siria, një vendim që Pentagoni e ka kundërshtuar.
Ndërsa presidenti Trump tha se zoti Mattis po del në pension, vetë zoti Mattis, në një letër dërguar presidentit, lë të kuptohet se ai po dorëhiqet.
"Sepse ju keni të drejtë të keni një Sekretar Shteti, pikëpamjet e të cilit të jenë më të përputhura me tuajat, për këto dhe çështje të tjera, besoj se do të ishte më mirë për mua të tërhiqem nga posti që mbaj", i shkruan ai presidentit Trump.
Forcat që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të vazhdueshëm kundër Shtetit Islamik për vite me radhë. Javën e kaluar ato morrën nën kontroll qendrën e fundit të Shtetit Islamik në lindje të Sirisë, qytetin Haxhin, ç'ka mund ta ketë nxitur presidentin Trump të shpallë fitoren.
"Ne fituam ndaj ISIS-it, e mundëm dhe e mundëm rëndë," u shpreh presidenti Trump në një video të lëshuar në Twitter të mërkurën. "Ne morrëm kontrollin e territorit dhe tani është koha që forcat tona të kthehen në atdhe".
Presidenti Trump dhe Sekretari Mattis kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Fitorja ndaj Shtetit Islamik ishte vetëm një nga tre pikat e planit të zotit Mattis për Sirinë, që ai e bëri të ditur në muajin gusht, para se të pakësonte numrin e trupave amerikane në Siri. Ai kishte kërkuar gjithashtu që forcat amerikane të përgatisnin trupat lokale që të bëheshin të afta të mbanin nën kontroll forcat ekstremiste, si dhe arritjen e përparimit në procesin e paqes të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara për t'i dhënë fund luftës civile në Siri.
Veç Sirisë, mes tyre ka patur tensione edhe përsa i përket presidentit rus Vladimir Putin.
Sekretari Mattis beson se presidenti Rus synon të minojë NATO-n dhe të dëmtojë demokracitë Perëndimore.
"Vendimet e presidentit Putin nuk synojnë të sfidojnë në këtë moment armatimet tona, por synojnë të minojnë dhe kompromentojnë besimin tek idealet tona", u shpreh Sekretari Mattis në një fjalim para studentëve të forcave të marinës, gjatë ceremonisë së diplomimit në qershor.
Ndërsa presidenti Trump i ka vlerësuar aftësitë udhëheqëse të presidentit Putin dhe kohët e fundit ngjalli shqetësime mes vendeve aleate kur bëri thirrje që Rusia të ripranohej në grupin e vendeve të mëdha industriale. Rusia u përjashtua nga Grupi i 8-shes pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina.
Një tjetër mosmarrëveshje mes tyre kishte të bënte me marrëveshjen bërthamore për Iranin.
Sekretari Mattis argumentonte se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të largoheshin nga marrëveshja, nëse nuk vërtetohej se Irani po e shkelte atë. Irani po e zbatonte marrëveshjen, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, e cila vëzhgon përdorimin e energjisë bërthamore dhe ka vërtetuar disa herë që nga viti 2015 se Irani po e zbatonte marrëveshjen.
Megjithë kundërshtimin e Sekretarit të tij të Mbrojtjes, presidenti Trump u largua nga marrëveshja në muajin maj, duke pretenduar se ajo ishte një marrëveshje e keqe, e negociuar gjatë administratës së paraardhësit të tij Obama.
Zërat se sekretari Mattis do largohej kishte muaj pë qarkullonin.
Jim Mattis u bë Sekretar i Mbrojtjes pak pas fillimit nga detyra të presidentit Trump dhe është një nga anëtarët më jetëgjatë të kabinetit.
Para se bëhej sekretar i mbrojtjes ai kishte shërbyer për 44 vjet me forcat e marinës dhe ishte komandant i trupave amerikane dhe britanike gjatë luftimeve për marrjen e qytetit të Falluxhës në Irak, në vitin 2004.
Facebook Forum