Lidhje

Trump emëron gjykatësin Neil Gorsuch në Gjykatën e Lartë


Presidenti Donald Trump duke shpallur emërimin e gjykatësit Neil Gorsuch për Gjykatën e Lartë, 31 janar, 2017
Presidenti Donald Trump duke shpallur emërimin e gjykatësit Neil Gorsuch për Gjykatën e Lartë, 31 janar, 2017

Presidenti Donald Trump emëroi gjykatësin nga Kolorado, Neil Gorsuch për në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Neil Gorsuch shërben aktualisht në Gjykatën e Apelit, i emëruar aty nga presidenti George W. Bush në vitin 2006.

Gjykata e Lartë me 9 anëtarë, kishte një vend bosh që pas vdekjes vitin e kaluar të gjykatësit Antonin Scalia, përfaqësues i krahut konservator në gjykatë prej 30 vitesh.

Ish presidenti Barack Obama kishte emëruar gjykatësin Merrick Garland për vendin bosh, por Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën e tij, duke argumentuar se do të ishte mirë që emërimin ta bënte presidenti i ardhshëm.

Gorsuch, 49 vjeç, do të jetë ndër kandidatët me moshën më të re të emëruar në Gjykatën e Lartë të vendit. Gjykatësi Clarence Thomas ishte 43 vjeç kur u emërua, ndërsa Kryetari i tanishëm i Gjykatës së Lartë, John Roberts dhe gjykatësja Elena Kagan ishin 50 vjeç kur u konfirmuan.

Gjykatësi Neil Gorsuch

Gorsuch është diplomuar nga Universiteti i Columbia-s, më pas ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Harvard-it dhe studimet i ka vazhduar më tej në Universitetin e Oxfordit. I diplomuar për drejtësi ai ka shërbyer si ndihmës i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Byron White dhe Anthony Kennedy.

Gorsuch ka pasion sportet në natyrë, gjuetinë, peshkimin dhe skitë, që janë të përhapura në shtetin e tij të Kolorados.

Ai është admirues i ish gjykatësit Scalia, të cilin gjatë një fjalimi vitin e kaluar e ka cilësuar si "kalorës të drejtësisë".

Sipas shkrimeve të portalit "SCOTUSblog", që analizon Gjykatën e Lartë përmes shkrimeve të avokatëve, profesorëve të drejtësisë dhe studentëve të drejtësisë, ekziston një ngjashmëri e madhe mes gjykatësve Gorsuch dhe Scalia.

"Vlerësimi më i madh që i bëhet shkrimeve ligjore të gjykatësit Gorsuch është krahasimi me ato të gjykatësit Scalia: opinionet ligjore të gjykatësit Gorsuch janë të qarta dhe të këndshme për t'u lexuar; ato janë të drejtpërdrejta dhe shpjegojnë qartë mendimin dhe arsyen e vendimeve të tij", shkruhet në portalin "SCOTUSblog".

"Ashtu si Scalia, Gorsuch duket se ka angazhime juridike dhe gjyqësore që dallojnë nga preferencat e tij personale dhe që e motivojnë procesin e tij vendim-marrës", shkruhet në një prej analizave.

Pasues i natyrshëm

Gjykatësi Gorsuch duket se është pasuesi më i natyrshëm i gjykatësit Scalia, përsa i përket stilit juridik dhe qasjes ndaj problemeve.

Profesori i drejtësisë Justin Marceau, shkruan se gjykatësi Gorsuch është "konservator për çështjet sociale, i cili favorizon pushtetin lokal ndaj atij federal", sipas një shkrimi në gazetën "The Denver Post" në dhjetor 2016.

Gjykatësi Gorsuch nuk ka marrë ndonjë vendim për abortin, por në vitin 2013 ai u bë pjesë e një opinioni i cili theksonte se kompanitë private mund ta kundërshtojnë mbi baza fetare klauzolën e shërbimit shëndetësor të presidentit Obama, i cili i detyron punëdhënësit të ofrojnë mbulim për ilaçet kontraceptive për gratë.

Ai po ashtu ka shkruar një ese ligjore: "E ardhmja e vdekjes me asistencë, një opinion ligjor dhe etik", duke u shprehur kundër legalizimit të saj.

Konservatorët shpresojnë se Gjykata e Lartë do të mbështesë kufizimet ndaj abortit të miratuara nga disa shtete ku dominojnë republikanët.

E ëma e zotit Gorsuch, Anne Gorsuch Burford, u emërua nga ish presidenti Ronald Reagan si gruaja e parë në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.

Ai jeton në afërsi të qytetit Boulder, në shtetin Colorado, me guan Louise dhe dy vajzat.

XS
SM
MD
LG