Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale, Donald Trump foli dje për qëndrimin që do të mbajë gjatë presidencës së tij ndaj Aleancës së NATO-s. Zoti Trump tha për gazetën The New York Times, se do të vërë kushte për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s ndaj një sulmi të mundshëm, një qëndrim që u kundërshtua menjëherë nga Uashingtoni dhe vende të tjera.
Zoti Trump e vuri në pikëpyetje nenin e Aleancës lidhur me angazhimin për një mbrojtje automatike të anëtarëve të aleancës, duke thënë se fillimisht do të shihte kontributin e tyre në NATO.
Ai i bëri komentet i pyetur nëse do t’i mbronte vendet balltike nga veprimtaritë kërcënuese të Rusisë. Ai tha se nëse Rusia i kërcënonte, ai do të vendoste nëse do t’i ndihmonte apo jo, pasi të vërtetonte nëse i kishin plotësuar angazhimet e tyre.
Zoti Trump shtoi se do t’i detyronte aleatët që të mbulonin koston e mbrojtjes që Shtetet e Bashkuara e kanë përballuar prej dekadash, do të anullonte traktate që i sheh si të pafavorshme dhe do të ripërkufizonte se ç’do të thoshte të jesh partner i Shteteve të Bashkuara. Gazeta e citon zotin Trump të thotë se bota duhet të mësohet me qëndrimin e tij.
Shtëpia e Bardhë, reagoi sot pas komenteve të zotit Trump.
"Më lejoni të jem krejtësisht i qartë për politikën që ka ndjekur presidenti, që është një angazhim i palëkundur ndaj aleancës sonë të NATO-s. Guri i themelit i kësaj aleance, është premtimi që kanë bërë të gjithë anëtarët e saj për një mbrojtje reciproke. Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj këtij angazhimi, është i padiskutueshëm", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Zoti Earnest tha se një nga prioritetet e zotit Obama gjatë presidencës së tij ka qenë forcimi i aleancës transatlantike dhe në disa raste edhe zgjerimi.
"NATO-ja pranoi një vend të ri Malin e Zi në takimin e fundit të nivelit të lartë", tha zoti Earnest.
Ai theksoi se politika se NATO-ja është në qendër të sigurisë kombëtare amerikane është ndjekur nga çdo president amerikan demokrat ose republikan që pas Luftës së Dytë Botërore.
Komentet e zotit Trump binin ndesh edhe me deklaratat e kandidatit të tij për nënpresident Mike Pence dje që foli për një qëndrim përkrah aleatëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha për BuzzFeed News se “solidariteti mes aleatëve është një vlerë jetike e NATO-s. Kjo është në favor të sigurisë evropiane dhe në favor të sigurisë amerikane. Ne mbrojmë njëri-tjetrin”.
Reagime pati edhe nga presidenti i Estonisë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndëratlantike.