Nuk është e qartë nëse do të zhvillohet takimi i planifikuar mes udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un dhe Presidentit amerikan Donald Trump. Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë u shprehën me optimizëm se mund të jetë ringjallur mundësia për bisedime pas një përgjigje të papritur të Koresë së Veriut.
Presidenti amerikan Donald Trump ndryshoi tonin dje në mëngjes, vetëm 24 orë pasi kishte njoftuar tërheqjen nga bisedimet me Korenë e Veriut.
“Po flasim me ta dhe janë të gatshëm për bisedime. Dëshirojmë të realizohet. Do shohim si do shkojë”, tha Presidenti Donald Trump.
Presidenti Trump e anulloi papritur takimin pas një deklarate të Phenianit me kërcënime për një luftë bërthamore.
Vendimi befasoi edhe aleatët. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-In, u shpreh se ndjehej i hutuar.
Sidoqoftë, përgjigja paqtuese e Phenianit qartësoi se janë ende të hapur për bisedime. Kjo ngjalli optimizëm në Uashington dhe Presidenti Trump sinjalizoi se marrje-dhëniet janë pjesë e një strategjie.
Megjithatë, analistët thonë se për t’i shpëtuar negociatat duhet ta marrin drejtimin diplomatët.
“Ministri i jashtëm koreanoverior dhe Sekretari amerikan i Shtetit duhet të ulen dhe të qartësojnë se çfarë kërkojnë nga pala tjetër. Bisedimet mund t’i vazhdojnë edhe në nivele të tjera më të ulëta, duke mundësuar kështu edhe zhvillimin e një samiti”, thotë Daryl Kimball, i Shoqatës së Kontrollit të Armëve.
Eksperti i kontrollit të armëve, James McKeon, shton se duhet të ndryshojë edhe retorika.
“Tani duhet të theksojmë diplomacinë më shumë se opsionet ushtarake. Edhe nëse nuk do të zhvillohet samiti, kjo nuk do të thotë se është fundi i diplomacisë. Mendoj se administrata Trump e di këtë gjë. Pra nuk duhet t’i mëshojmë idesë se kemi opsione ushtarake të zbatueshme për gadishullin korean. Nuk kemi opsione të tilla – vetëm në rast se duam të sakrifikojmë qindra mijëra, apo miliona, jetë njerëzish”, thotë zoti McKeon.
Ndërkohë që mbeten vetëm pak ditë deri më datën 12 qershor, kur është planifikuar zhvillimi i samitit, nuk është ende e qartë nëse do të zhvillohet apo jo ky takim i parë historik mes një Presidenti amerikan dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.
Facebook Forum