Lidhje

Trump mohon akuzat për ndërhyrje në hetimin ndaj fushatës së tij elektorale


Presidenti Donald Trump mohon se i ka kërkuar ish Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, që të ngarkojë një aleat të zotit Trump me detyrën e udhëheqjes së një hetimi federal. Ky hetim lidhet me paratë që i janë paguar në fshehtësi dy grave që kishin lidhje me zotin Trump, gjatë fushatës të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016:

Presidenti Trump reagoi ndaj akuzave të publikuara të martën në një artikull të gazetës “New York Times”, si “lajme të tjera të rreme”.

Gazetari: “Zoti President, i keni kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë Matthew Whitaker që ta zëvendësojë drejtuesin e hetimeve ndaj avokatit tuaj personal Michael Cohen?”

Donald Trump: “Kjo nuk është e vërtetë. Nuk e di ku i gjeni këto akuza. Këto janë veçse lajme të tjera të rreme. Qarkullojnë shumë lajme të rreme.”

Në artikullin e gazetës “New York Times”, po ashtu thuhet se një aleat i zotit Trump, Geoffrey Berman, Prokuror i Distriktit Jugor të Nju Jorkut, u tërhoq paraprakisht nga kjo çështje, për shkak të konfliktit të interesit.

Objekt i hetimit janë edhe disa pagesa të bëra nga Michael Cohen, avokati i zotit Trump prej një kohe të gjatë, ndaj dy grave, që thonë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump. Paratë ishin dhënë me synimin që ato të heshtnin dhe të mos e dëmtonin zotin Trump gjatë fushatës së tij presidenciale.

Michael Cohen ka pranuar fajësinë ndaj akuzave për shkelje financiare gjatë fushatës, që lidhen me këto pagesa.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG