Presidenti i SHBA, Donald Trump do të nënshkruajë një projekt-ligj mbi sigurinë kufitare, duke shmangur mbylljen e qeverisë të premten, por planifikon ta shpallë zyrtarisht kufirin jugor të SHBA një "emergjencë kombëtare", tha Shtëpia e Bardhë.
Deklarata do t’i hapte rrugën Presidentit Trump të autorizojë fonde nga burime të tjera për një barrierë të përhershme fizike në kufirin jugor.
Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan të enjten mbëma një projektligj për sigurinë e kufirit që financon qeverinë dhe shmang një tjetër mbyllje të saj. Presidenti Trump ka afat deri premten në mesnatë për të nënshkruar projektligjin dhe Shtëpia e Bardhë tha se ai do ta bëjë këtë.
Projektligji i jep Presidentit vetëm 1.3 miliardë dollarë për një barrierë fizike përgjatë 90 kilometrave të kufirit - shumë më pak se 5.7 miliardë dollarë që ai kishte kërkuar për ndërtimin e 322 kilometrave mur. Projekt-ligji i ri përfshin ndërkaq përmirësime teknologjike për pikat e hyrjes në kufi, më shumë doganierë dhe ndihma humanitare.
Shpallja e emergjencës kombëtare në kufi do të nënkuptonte mundësinë e një konflikti të ri midis Kongresit dhe Presidentit Trump lidhur me përpjekjet e tij për të ndërtuar barriera përgjatë kufirit me Meksikën. Kundërshtarët kanë thënë se në kufi nuk ka krizë dhe se Presidenti Trump thjesht po e anashkalon Kongresin.
Disa analistë ligjorë shqetësohen se një shpallje e emergjencës kombëtare do të krijonte një precedent të rrezikshëm për presidentët që përpiqen të negociojnë me Kongresin.
Demokratja më e lartë në Kongresin amerikan tha të enjten se ajo mund të ngrejë një sfidë ligjore nëse Presidenti Trump deklaron emergjencë kombëtare për të siguruar fondet e ndërtimit të murit përgjatë kufirit jugor.
"Mund ta bëj," tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, kur u pyet nga një gazetar nëse do të paraqiste sfidë ligjore.
"Ne do t'i shqyrtojmë mundësitë tona," tha ajo, duke shtuar se demokratët do të përgjigjen "në mënyrën e duhur”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha se administrata është e përgatitur të përballet me sfida ligjore ndaj çdo deklarate të Presidentit për “emergjencë kombëtare”.
Facebook Forum