Lidhje

Sfidat e trajtimit të të kthyerve nga luftërat e huaja në Kosovë


Që nga fillimi i konfliktit në Siri, mbi 300 shqiptarë të Kosovës, kanë shkuar atje në periudha e rrugë të ndryshme. Një e treta e tyre janë kthyer në Kosovë, kryesisht të zhgënjyer më atë çfarë kishin parë dhe përjetuar atje. Njëri nga të kthyerit, Burim Ballazhi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se trajtimi i të kthyerve duhet të përfshijë edhe një proces riintegrimi dhe jo vetëm përballjen me forcën e ligjit.

Kosovë: Riintegrimi i të kthyerve nga Siria
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:13 0:00

Burim Ballazhi, kishte shkuar në Siri në fillim të muajit maj të vitit 2013 nëpërmjet Stambollit dhe pastaj kishte hyrë atje në rrugë të jashtëligjshme, meqë kufijtë ende kontrolloheshin nga qeveria e presidentit sirian Bashar Al-Assad. Në Siri kishte qëndruar rreth tre muaj. Kishte shkuar pa dijen e familjes e cila thotë se kishte menduar që ishte në udhëtim pune në Dubai.

Ai thotë se gjatë asaj kohe kishte qëndruar me grupin "Mujahirin", pjesë e Ushtrisë së Lirë, kryesisht përreth kufirit me Turqinë deri në afërsi të Aleppos. Ai mohon të jetë pasur lidhje me grupin militant Shteti Islamik.

"Në atë kohë kur kam qenë unë, në territorin e Sirisë nuk ka ekzistuar grupi ISIS, kështu që nuk kam mundur as të kem kontakte me të. Çështja ishte vetëm në grupin tonë sa kemi mundur të ndihmojmë popullatën, sepse qëllimi ka qenë me i ndihmuar popullatës së Sirisë".

Ai thotë se gjatë qëndrimit atje ka pasur kontakte vetëm me një shqiptar nga Shqipëria, por për hir të sigurisë edhe me të ka komunikuar me nofkë.

"Po fillimisht na kanë dërguar në një objekt, ta quaj kështu. Aty kemi qëndruar afër një muaj ditë. Jemi marrë me ushtrime fizike, pak a shumë. Dhe në fund të atij muaji, një javë kemi pasur ushtrime edhe gjuajtje me armë siç na kanë treguar ata. Pastaj ku ka pasur nevojë me i ndihmua popullatës aty".

Por ai mohon të ketë marrë pjesë në luftime.

"Jo. drejtpërdrejtë s'kam marrë pjesë në luftime. Domethënë, kryesisht ju kemi ndihmuar popullatës për shkak se në atë kohë kanë bombarduar shumë më aeroplanë, me mjete të rënda. Nuk kam pasur unë personalisht, domethënë, grupi ynë, nuk kemi pasur luftime direkt me ushtrinë e Assadit në atë kohë".

Ai thotë se kishte planifikuar të kthehej duke parë edhe tensionet ndërmjet grupeve opozitare që luftonin kundër qeverisë, gjë që sipas tij, binte ndesh me qëllimet fillestare të kryengritjes. Vendimi për të shkuar në Siri kishte pasuar ndjekjen e zhvillimeve në Siri dhe siç thotë, kujtimet për atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë. Burim Ballazhi, është arrestuar në qershor të vitit 2014, në Shqipëri, gati një vit pas kthimit nga Siria. Në maj të vitit 2016 ai është dënuar me 4 vjet e gjysme heqje lirie nën akuzat për organizim e pjesëmarrje në grup terrorist dhe rekrutim për terrorizëm.

"Kjo është më qesharakja, kjo pjesa është më qesharake për shkak se unë jam akuzuar për rekrutim me tre numra telefoni. Domethënë pse ka kërkuar dikush prej meje tre numra telefoni, që unë kam pasur ata tre numra. Normale është që me ndejt tre muaj diku e mos t'i kesh tre numra telefoni. M'i ka lypë ata tre numra telefoni, që unë as nuk i njoh ata persona, por vetëm që të tjerët m'i kanë dhënë nëse paraqitet ndonjë problem të kontaktojë me ta. Mirëpo, nuk dihet se kë e kam dërguar në Siri. Nuk ka asnjë argument që unë e kam thirr ndonjë numër apo i kam dërguar mesazh atij numri, mirëpo, çka me ba".

Ai thotë se qasja e shtetit ndaj atyre që janë kthyer nga Siria duhet të ndryshojë, sepse nuk është zgjidhje burgosja dhe dënimi, por shfrytëzimi i njohurive dhe përvojave të tyre për t'ju kundërvënë ideologjive ekstremiste si dhe të mundësohet riintegrimi i tyre. Ai i quan zmadhime të panevojshme pohimet se Kosova mund të rrezikohet nga luftëtarët e kthyer.

"Për shkak se po shihet. Domethënë edhe para arrestimeve edhe pas arrestimeve nuk kemi asnjë lloj incidenti në këtë drejtim. Edhe nuk mendoj që ka rrezik prej një grupi apo personi që mund të shkaktojë probleme këtu".

Albert Berisha, është njëri nga të kthyerit nga lufta e Sirisë, i cili bashkë më disa të tjerë themeloi vjeshtën e kaluar një institut për integrim, siguri dhe deradikalizim. Ai thotë se në këtë projekt, që aktualisht funksionon në baza vullnetare, po bëhen përpjekje për të përfshirë sa më shumë të kthyer që mund të japin ndihmesën e tyre për të parandaluar shkuarjet e reja në luftërat në Lindjen e Mesme.

Autoritetet pohojnë se është ndërprerë pothuajse në tërësi shkuarja e qytetarëve të Kosovës në luftën e Sirisë. Edhe Albert Berisha është i bindur se kjo ka ndodhur për disa arsye.

"Mund të themi se këtu rolin më të madh e kanë pasur shoqëria civile dhe ish luftëtarët e huaj që kanë folur publikisht dhe kanë rrëfyer në detaje për gjendjen në terren atje. Rol të madh kanë pasur edhe ligjëratat sensibilizuese, pastaj, takimet derë më derë me ta. Deri në njëfarë mase kjo punë mendoj se është ndërprerë për momentin. Mirëpo, mund të ketë individë të cilët janë të izoluar dhe nuk kanë idenë se çka ndodhë atje dhe mund të bien shumë lehtë viktime e ndonjë propagande apo rekrutuesi potencial".

Ai thotë se pjesa më e vështirë është lufta kundër ideologjive ekstremiste të të gjithë ngjyrave.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Ekspertë të çështjes thonë se derisa grupi militant Shteti Islamik po humbë territore në Lindjen e Mesme, ai mund të provojë përshtatjen e taktikave të reja për sulme në perëndim, përfshirë edhe Kosovën.

Albert Berisha mendon se çështja kërkon kujdes e vëmendje, por rreziku është zmadhuar.

"Është bërë një manipulim i paskrupullt me shifra prej 300 luftëtarësh që kanë qenë atje. Vlen të përmendet se këta 300 luftëtarë nuk kanë qenë aspak të organizuar. Nuk kanë pasur lidhje domethënëse njëri me tjetrin, kanë udhëtuar në periudha të ndryshme kohore, kanë qëndruar në periudha të ndryshme kohore, kanë pasur aktivitet të ndryshëm dhe motive të ndryshme dhe po ashtu kanë vepruar në grupe të ndryshme. Ndërkaq, shumica e raporteve të medieve ndërkombëtare apo të ndonjë organizate për agjenda të ndryshme thonë se të gjithë këta kanë qenë pjesë e të ashtuquajturit Shteti Islamik. Mirëpo, kjo nuk është e vërtetë, sepse sidomos në fazën e hershme të viteve 2011 -2012, personat që kanë udhëtuar atje nuk kanë qenë fare të involvuar në organizata terroriste".

Mbi 40 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

XS
SM
MD
LG