Në Shqipëri drejtori i përgjithshëm i policisë Hysni Burgaj foli sot rreth incidenteve të fundit që i kanë paraprirë fushatës zgjedhore. Ai ftoi pushtetin lokal që të përcaktojë vendet ku do të mund të vendosen flamujt dhe materialet elektorale.
Deklarata e drejtorit të Policisë shkaktoi reagimin e Bashkisë së Tiranës e cila shpjegoi se sipas saj është ajo që përcakton vendet e lejuara për materialet elektorale të cilat mund të ekspozohen vetëm pas nisjes së fushatës më 8 prill.
Ditët e fundit policia bashkiake pati përplasje me simpatizantë të forcave politike ndërsa u angazhua ne heqjen e flamujve të Lëvizjes socialiste për Integrim.
Lidhur me incidentet me armë ndaj dy kandidatëve për kryetar komune të shumicës drejtori i policisë tha se ato kanë qenë kryesisht si pasojë e konflikteve të çastit, ndërsa shpjegoi se po vazhdojnë hetimet për atentatin e djeshëm në qendër të Tiranës të drejtorit të inspektoriatit të ndërtimit Ardit Kaja.