Lidhje

Thaçi:"Kushtetuta dhe sovraniteti i Kosovës përtej çdo partneriteti”


Thaçi:"Kushtetuta dhe sovraniteti i Kosovës përtej çdo partneriteti”
Thaçi:"Kushtetuta dhe sovraniteti i Kosovës përtej çdo partneriteti”

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sonte se qëllimi i vetëm i operacionit për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë, ishte vendosja e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

Në një konferencë për gazetarë në orët e mbrëmjes kryeministri Thaci tha se veprimet “nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë por janë në shërbim të sigurisë së tyre dhe të paqes e stabilitetit dhe bashkëjetesës së të gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës”.

Ai tha se vendimi i mbrëmshëm ishte jo i lehtë por i drejtë dhe i domsdoshëm. Kosova, tha ai, nuk mund të lejojë që një pjesë e territorit të saj të jetë vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës por edhe Evropës.

“Nuk mund të lejojmë përjetësisht që sovraniteti ynë të cenohet. Nuk mund të lejojmë që një pjesë e atdheut tonë të përdorët si vendkalim për mallra të kontrabanduara. Kjo është në kundërshtim jo vetëm me parimet e ligjeve dhe kushtetutës, por në kundërshtim të plotë edhe me vlerat dhe parimet evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Ai bëri thirrje për mirëkuptim, gjakftohtësi dhe për bashkim ndërsa i siguroi qytetarët se “nuk do të bëhet asnjë kompromis me askënd për sigurinë e vendit. Ne nuk do të bëjmë kompromis me askënd për të drejtat kushtetuese dhe ligjore”.

Ai i bëri thirrje Beogradit që ”të ndryshojë dhe evropianizojë qasjen ndaj shtetit të Kosovës dhe rajonit. Bashkëpunimi i mirë është në interes të dy shteteve, të popujve tanë dhe perspektivën euroatlantike të dy shteteve tona dhe rajonit”.

“Ne punojmë për hapjen e kufijve dhe asnjë rrethanë për ndryshimin e kufijve. Pra hapjen e kufijve të një modeli evropian”.

Ai tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe i duhet mbështetja

“E kam thënë se partneritetin tonë me miqtë tanë ndërkombëtarë duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Por kushtetuta dhe sovraniteti i vendit tim janë të shenjta për mua, për bashkëpunëtorët e mi dhe shkojnë përtej çdo partneriteti dhe lojaliteti”, tha kryeministri Thaçi.

Presidentja Jahjaga: “Mbështetje e plotë për qeverinë e Kosovës”

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha sonte se operacioni i policisë për vënien nën kontroll të kufirit verior të Kosovës me Serbinë, është një veprim i qëlluar që ka përkrahjen e plotë të popullit dhe të gjitha subjekteve politike në Kosovë, por edhe përkrahjen ndërkombëtare, sepse është e drejtë sovrane dhe legjitime e shtetit që të ketë kontroll në mbarë territorin e vet.

Në një komunikatë për opinion, thuhet se meqë “në raundin e fundit të bisedimeve Serbia u tërhoq pa asnjë shkas duke vënë në rrezik edhe tri marrëveshjet për të cilat dy delegacionet u pajtuan, më nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveç që Republika e Kosovës me mjete legale e ligjore të shtrijë autoritetin e pushtetin në tërë territorin, duke luftuar kështu kontrabandën dhe krimin e organizuar, një nga parakushtet për integrim evropian të Kosovës.

Republika e Kosovës të gjitha institucionet e saj janë të vendosura që të zbatojnë rendin dhe ligjin në mbarë territorin, që është në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Dialogu është e vetmja rrugë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy vende sovrane që në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian e kanë të ardhmen e përbashkët”, thuhet ne deklaratën e presidentes Jagjaga në të cilën vlerësohet puna dhe angazhimi i policisë së Kosovës.

Presidentja Jahjaga i ka shprehur kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, përkrahjen institucionale për këtë veprim të domosdoshëm në funksionim të shtetit.

XS
SM
MD
LG