Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në Prishtinë se Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, ka dështuar të ushtrojë rolin e tij në Kosovë. Në një paraqitje të pazakontë, ai u shpreh shumë kritik me EULEX-in, për mosmbështetjen e operacionit të policisë për vënien nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, në veriun e banuar me shumicë serbe.
EULEX-i ka refuzuar të mbështesë këtë operacion, duke theksuar, siç është thënë, rëndësinë e zgjidhjes së situatës aktuale përmes një rruge të qetë dhe paqësore. Në një deklaratë të EULEX-it qe thënë se ky mision dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë të qartë se çështja e doganave duhet të zgjidhet përmes dialogut aktual ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se veprimet e njëanshme nga secila palë nuk ndihmojnë në këtë çështje.
Kryeministri Thaçi, tha në mbledhjen e sotme të qeverisë, se “ky hezitim dhe refuzim ka qenë dhe është në kundërshtim të plotë me rolin e tyre, për çka institucionet e Kosovës i kanë ftuar në Kosovë. Prandaj në kuadër të autoritetit tonë sovran, në kuadër të kompetencave tona dhe obligimeve të dokumenteve ndërkombëtare, ne nuk do të lejojmë që sovraniteti ynë të cenohet përjetësisht”, tha kryeministri Thaçi, duke nënvizuar se lejimi i kontrabandës dhe kriminalitetit është në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane.
“Nëse misioni EULEX mendon se lejimi i kontrabandës është diçka normale, që duhet toleruar, atëherë le të japin vetëm një shembull konkret në cilin shtet të BE-së lejohet kontrabanda e krimi dhe strukturat paralele”, tha kryeministri Thaçi Thaçi, duke shtruar çështjen se “si ka mundësi që EULEX në njërën anë të tregohet aq i kujdesshëm për të respektuar Kushtetutën e Kosovës si në çështjen ta zëmë të imunitetit të zyrtarëve të lartë, ndërsa në anën tjetër mos ta mbështes të drejtën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës dhe ligjore për rend ligj dhe luftë kundër krimit”.
Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.
Aksioni i policisë nuk është mbështetur nga EULEX-i, ndërsa është cilësuar i padobishëm nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini, që, siç ka thënë ai, nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar atë. Këtë qëndrim e shprehu kabineti i krye diplomates evropiane Catherine Ashton, sipas së cilës Bashkimi Evropian kërkon qetësimin e situatës dhe kthimin e në gjendjen e mëparshme.
Shtetet e Bashkuara ndërkaq shprehën keqardhje që veprimi i qeverisë së Kosovës për të marrë nën kontroll vendkalimet kufitare nuk u koordinuan me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa u bënë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë të punojnë urgjentisht për shtendosjen e gjendjes. Zyrtarët amerikan u bënë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga përdorimi i dhunës, ndërsa nënvizuan se lëvizja e lirë e mallrave mes Serbisë dhe Kosovës, duhet të trajtohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.