Lidhje

Jep dorëheqjen polici në Teksas


Policia në Teksas po analizon veprimet e një oficeri të saj i cili rrëzoi me forcë një vajzë adoleshente të paarmatosur, pasi e kishin thirrur për të shpërndarë një grumbullim të rinjsh tek një pishinë. Polici dha dorëheqjen dje.

Por shtimi i vëmendjes kombëtare ndaj reagimeve të policisë, sidomos nga policë të bardhë ndaj individëve të racave të tjera, e ka vënë këtë incident në qendër të debatit për taktika policore me dhunë të tepruar.

Një grumbullim rinor pranë pishinës në një lagje periferike të Dallasit përfundoi me pranga dhe policë me armë në duar.

Banorët thirrën policinë për të shpërndarë grumbullimin të premten, me arsyetimin se adoleshentët nuk lejoheshin në pishinë.

Një prej të rinjve xhiroi policin Eric Casebolt të departamentit policor të qytetit McKinney duke rrëzuar për tokë 15-vjeçaren Dejerria Becton:

“Ai më tha të largohesha dhe unë u largova. Ndoshta ai mendoi se po e shanim. Ai më kapi nga krahu, ma tërhoqi krahun pas shpine, më hodhi në tokë dhe më tërhoqi flokët. I thashë të ngrihej pasi kisha dhimbje kurrizi nga pesha e tij”.

Ashtu si në raste të tjera kur janë xhiruar incidente të përdorimit të dhunës së tepruar, rrëfimet e dëshmitarëve ndryshojnë. Një grua që pa incidentin, mbron sjelljen e policit.

“Ai e kapu nga krahu, por ajo po i rezistonte. Policia veproi si duhet kur reagoi ndaj të rinjve që po largoheshin duke sharë e kërcënuar rojet”.

Aktivistët kanë kërkuar transparencë dhe hetime të shpejta. Ndër ta është edhe Satinder Singh i degës së Teksasit për Bashkimin Amerikan për të Drejta Civile.

“Deri tani policia ka thënë se të rinjtë kishin hyrë pa leje në pishinë. Kjo përbën vepër penale. Por a justifikohet një reagim i tillë? Kështu duhet të veprojë policia kur ruan rendin në komunitet? Kjo është përgjigja më e mirë, duke e acaruar situatën deri kur dikush të vritet? Duke e hedhur për tokë një vajzë me kostum banje, duke e kontrolluar me peshën e tij vetë polici? Duke ia drejtuar armën adoleshentëve me rroba banje?”

Gjatë incidentit u ndaluan disa adoleshentë, por vetëm një individ është akuzuar për ndërhyrje në një operacion policor.

XS
SM
MD
LG