“Partia e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk do të miratojë në parlament projektligjin për trajtimin e pjestarëve të forcave shtetërore të sigurisë gjatë luftës.” Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për Zërin e Amerikës zv/kryeministrja që merret me çështjet e Integrimit të Maqedonisë, zonja Teuta Arifi. E pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohëshme në Maqedoni, zonja Arifi tha se partia BDI nuk e dëshiron një zgjidhje të tillë, por as nuk e përjashtën si mundësi.
Zëri Zëri i Amerikës - Zonja Arifi muajin tjetër BE pritet të nxjerrë raportin e progresit për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në këtë organizatë. Cilat janë pritshmëritë në vendin tuaj?
Teuta Arifi – Konsideroj se do të kemi një raport pozitiv, i cili do të nënvizojë veçanërisht fushat pozitive dhe elementët pozitivë që u arritën në kuadër të dialogut në nivel të lartë, gjithsesi duke mos harruar edhe mangësitë e ndryshme që ka sistemi i përgjithshëm që nënvizohen secilin vit e që ne duhet t’i marrim me një sens të vetkritikës për t’i përmirësuar më tutje.
Zëri i Amerikës - Zonja Arifi, koalicioni qeveritar, ku bën pjesë partia juaj, duket se ka hyrë në krizë. Si janë marrëdhëniet me partinë VMRO-DPMNE?
Teuta Arifi – Ne kemi një atmosferë komplekse të raporteve ndërkoalicionale, e cila është krijuar gjatë këtyre dy muajve të fundit, për shkak të qasjeve të ndryshme që kemi patur për tema të ndryshme, dhe që këshilloj që të shikohet në mënyrë serioze, duke patur parasysh se ka disa vlera që janë tejet të rëndësishme që janë vlerat e Marrëveshjes së Ohrit, përtej të cilave nuk mund të tregohet injoruse jo vetëm partie e BDI-së por ciladoqoftë parti politike shqiptare e cila do të kishte pushtet, ndaj konsideroj se edhe tendenca për të gjetur zgjedhje, duhet të jetë në frymën e marrëveshjes së Ohrit dhe në asnjë mënyrë në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Zëri i Amerikës - Një prej çështjeve që ka thelluar krizën në koalicon është ajo e projektligjit për trajtimin e pjesëtarëve të forcave shtetërore të sigurisë gjatë luftës. Sipas propozimit të partnertit tuaj në koalicion, ky projekligj përfshin vetëm ish luftëtarët maqedonas dhe përjashton ata shqiptarë. Ju keni thënë se do ta bllokoni këtë projekt-ligj në parlament. Si mendoni ta realizoni këtë?
Teuta Arifi – Në rradhë të parë ky ligj i propozura nga ana e deputetëve të partisë maqedonase në shumicë është një propozim që qëndron jashtë marrëveshjes të që kemi me partnerin tonë në koalicion, dhe në rradhë të parë është thyer parimi i marrëveshjes që ne kemi si partnerë.
E dyta, duke patur parasysh konceptin e pajtimit i cili është një koncept tejet i rëndësishëm, sot 11 vjet mbas Marrëveshjes së Ohrit, nuk mund të arrihet ai koncept nëse eventualisht edhe nëse pregatitet një ligj i tillë nuk do të përfshinte të dy palët që kanë pësuar në këtë konflikt. Prandaj ne e kemi bërë shumë të qartë si parti politike që ky ligj asesi nuk do të kalojë, për arsye se mundësitë institucionale dhe proceduriale të cilat posedojmë ne janë të mëdha dhe ne do t’a bllokojmë në kuadër të procedurës parlamentare.
Zëri i Amerikës - A mendoni se përplasjet për këtë projekt ligj mund të çojnë në zgjedhje të parakoshme?
Teuta Arifi - Të gjitha format politike mund të jenë të mundshme. Megjithatë ne si parti politike kemi qartësuar se nuk jemi për variantin e zgjedhjve të parakohëshme, për arsye se në rradhë të parë konsiderojmë se këto çështje janë çështje që duhet të zgjidhen përmes dialogut, dhe nëse do të ketë zgjedhje kushdo që do të jetë në kuadër të një procesi të ardhshëm parlamnetar do të duhet që të ulet e të bisedojë për këto tema, ndaj për këto arsye për ne nuk janë një opsion zgjedhjet e parakohëshme, por opsion është marrëveshja për sa i përket këtyre problemeve, megjithatë ne jemi një parti demokratike, e hapur, e cila nuk e ka problem nëse shumica dëshiron që të shkohet në zgjedhje, jemi të gatshëm edhe për to.
Zëri i Amerikës - Në takimin që presidenti i Maqedonisë, George Ivanov pati në fillim të muajit me presidentin e BE, Herman Von Rompuy, ndër të tjera zyrtari i lartë evropian theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, thelbi i së cilës është përmirësimi i marrëdhënieve etnike. Por duket se kohët e fundit këto marrëdhënie janë acaruar. Partia shqiptare e opozitës PDSH-ja ju kritikon ju se nuk keni bërë sa duhet për realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave.
Teuta Arifi - Ne këtyre kritikave iu përgjigjemi me shumë fakte. Me faktin që gjatë tërë kësaj periudhe pas Marrëveshjes së Ohrit, realizimi i atyre vlerave është një realizim i cili i dedikohet kohës dhe periudhës së politikbërjes së Bashkimit Demokratik për Integrim. Në cilëndo pjesë të Shkupit që të ecni faktikisht do të shihni dygjuhësinë, realizimin e Universitetit të Tetovës, përdorimin e flamurit kombëtar dhe shumë vlera të tjera që lidhen pikërishte me Marrëveshjne e Ohrit. A është e mjaftueshme...?! Sigurisht që jo! A duhet bërë më shumë...?! Sigurisht që duhet, dhe mendoj se në këtë drejtim orientimi ynë është shumë i qartë që të vazhdojmë në këtë mënyrë. Vetë fakti që sot një parti politike shqiptare që është në koalicion qeverisësë e vendos interesin kolektiv përpara dhe ndal një ligj që shumica tjetër e imponon dhe e vendos aty, edhe një herë tregon dallimin e madh të partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim me shumë subjekte të tjera politike shqiptare të cilët kur kanë patur mundësinë të bëjnë të njëjtën gjë nuk kanë dashur t’a bëjnë për arsye të tjera.