Lidhje

Grupe serbësh i vënë flakën njërit nga vendkalimet kufitare në veri


Grupe serbësh i vënë flakën njërit nga vendkalimet kufitare në veri
Grupe serbësh i vënë flakën njërit nga vendkalimet kufitare në veri

Në orët e mbrëmjes, grupe protestuesish serb i kanë vënë flakën vendkalimit kufitar në Jarinë, në komunën e Leposaviçit në veri, vetëm pak kohë pasi që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, i dhanë fund operacionit për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Grupe protestuesish kanë hedhur shishe me benzinë në postën kufitare ndërsa kanë përdorur edhe buldozerë për shkatërrimin e saj. Burimet serbe në veri thanë se shishe me benzinë janë hedhur edhe ndaj trupave të NATO-s.

Policia tha se janë shtuar masat e sigurisë në veri pas incidentit në Jarinë, por nuk kanë dhënë më shumë hollësi.

Ndaj kësja situate ka reaguar presidenti i Serbisë Boris Tadiç, i cili ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës në Jarinë. Ai citohet të ketë thënë se “huliganët që nxisin dhunë, nuk janë ata që i mbrojnë as qytetarët e as shtetin serb”.

Edhe Ministri serb në qeverinë e Kosovës Goran Bogdanoviç e ka dënuar djegien e vendkalimit kufitar ndërsa i ka cilësuar si ekstremistë grupet e protestuesve që sulmuan postën kufitare.

Kjo është hera e dytë që kjo postë kufitare digjet nga protestuesit serbë. Herën e parë ajo u dogj pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Aksioni i policisë nuk është mbështetur nga EULEX-i dhe Bashkimi Evropian.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG