Lidhje

Tadiç, Daçiç bien dakord për koalicionin qeverisës


Serbia duket se do të ketë një vazhdimësi të qeverisjes pas zgjedhjeve parlamentare të 6 majit. Partia Demokratike e presidentit të deritashëm të Serbisë, Boris Tadiç, dhe Partia Socialiste e drejtuar nga ministri i deritashëm i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, janë pajtuar që të krijojnë së bashku qeverinë e re.

Në një komunikatë për mjetet e informimit në Serbi, Partia Demokratike, njoftoi se sipas marrëveshjes, socialistët, që dolën të tretët në zgjedhjet e së dielës, do të mbështesin kryetarin e Partisë Demokratike, Boris Tadiç në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku ai përballet me kryetarin e Partisë Përparimtare, Tomislav Nikoliç.

Hollësitë rreth ndarjes së posteve qeveritare thuhet se do të shpalosën pas zgjedhjeve presidenciale të 20 majit. Por, gjykuar nga përbërja e re e Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç tashmë shihet si kryeministër i ardhshëm i Serbisë.

Një synim të tillë ai e paralajmëroi edhe në përfundim të zgjedhjeve të 6 majit me ç’rast deklaroi se “Serbia mbase nuk e di ende kënd do ta ketë president por me siguri dihet se kush do të jetë kryeministër”.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të së dielës, nxorën Partinë Socialiste të Serbisë me më së shumti vota që nga zgjedhjet e tetorit të vitit 2000. Kjo parti ishte themeluar nga ish presidenti serb Slobodan Milosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 në Gjykatën e Hagës derisa po zhvillohej procesi kundër tij nën akuzat për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.

Marrëveshja e arritur sot ndërmjet Partisë Demokratike dhe socialistëve, nënkupton që Partia Përparimtare serbe e cila fitoi më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare do të mbetet në opozitë. Kryetari i kësaj partie Tomislav Nikoliç, duke reaguar ndaj njoftimeve tha se “politikanët në pushtet dhe Serbinë i ka mbërthyer kriminaliteti”.

XS
SM
MD
LG