Policia në Mitrovicë tha se një shpërthim gjatë orëve të natës në veriun e këtij qyteti të banuar me shumicë serbe, la pas vetes dëme materiale por pa pasoja në njerëz. Shpërthimi shkatërroi makinën ne një punonjësi lokal të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë. Policia tha se po e trajton si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” këtë incident por ende nuk dihet asgjë për autorët dhe rrethanat e incidentit.
Sulmi është dënuar ashpër nga EULEX-i, i cili e ka cilësuar atë si “një përpjekje të qartë të frikësimit të pjesëtarit të personelit dhe misionit në tërësi. Ky është një sulm kriminal kundër Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe si i tillë, është i papranueshëm”, thuhet në reagimin e EULEX-it.
Gjendja në veriun e banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë e tensionuar ndërsa serbët lokal po mbajnë të mbyllura të gjitha rrugët e zonës në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë kufitare dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë. Të paktën 11 veta u plagosën më 27 shtator gjatë një përleshjeje ndërmjet forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe protestuesve serbë. Zyrtarë të KFOR-it thanë se u detyruan të përdorin forcën në vetëmbrojtje nga sulmet e protestuesve që hodhën mjete shpërthyese ndaj trupave të KFOR-it. Beogradi ndërkaq kritikoi praninë ndërkombëtarë për nxitje të dhunës, ndërsa kërkoi nga Kombet e Bashkuara sqarimin e incidenteve.
Zhvillimet në veri bënë që të anulohen edhe bisedimet e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, meqë delegacioni serb nguli këmbë që të diskutohet për gjendjen në veriun e Kosovë, një kërkesë kjo e cila është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare dhe nuk është pranuar nga ndërmjetësuesit e bisedimeve.
Ditëve të ardhshme pritet që ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Robert Cooper të shkojë në Beograd e nga andej edhe në Prishtinë në një përpjekje të re për rifillimin e bisedimeve të cilat do të trajtojnë, siç thuhet, çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e të dyja palëve me Bashkimin Evropian.
Beogradi kërkon bisedime politike ndërsa gjithnjë e më shpesh po kërkohet hapur edhe ndarja tokësore e veriut të Kosovës, një kërkesë kjo e cila është cilësuar e pamundur nga Prishtina zyrtare dhe komuniteti ndërkombëtarë.