Ministria e punëve të brendshme të Serbisë, njoftoi për një sulm me armë zjarri ndaj një postblloku të policisë së Luginën e Preshevës. Sipas policisë serbe, sulmi i cili kaloi pa pasoja në njerëz, ka ndodhur sot pas mesnate në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, u tha mjeteve serbe të informimit se sulmi është kryer nga, siç është shprehur ai, sulmues të panjohur të “grupeve terroriste shqiptare”. Në momentin e sulmit në postbllok ndodheshin katër pjesëtarë të policisë, dy nga të cilët të përkatësisë kombëtare serbe dhe dy të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Ministri serb tha se të shtënat kanë ndodhur nga drejtimi i Kosovës, por një gjë e tillë u mohua nga policia e rajonit të Gjilanit, e cila nuk ka njohuri për një sulm të tillë.
Ministri serb Daçiç e ka cilësuar incidentin si “shembull drastik të shkeljes së marrëveshjes me bashkësinë ndërkombëtare dhe dëshmi se sa është e kërcënuar paqja dhe siguria”.
Në fshatin Dobrosin, në vitin 2000 ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.
Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.