Në Shtetet e Bashkuara ndodhen këto ditë disa zyrtarë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991. Kjo organizatë qeveritare, e krijuar në vitin 2016, bazuar mbi një ligj të miratuar nga Parlamenti shqiptar në vitin 2015, synon mes të tjerash t’i njohë viktimat me dokumente të persekutimit të tyre dhe sensibilizimin e publikut për politikat e shkeljes së të drejtave të njeriut të periudhës së komunizmit. Zyrtarët e Autoritetit ndodhen sot në Zërin e Amerikës në kuadrin e një bashkëpunimi për projektin “Edhe muret kanë veshë”. Ky projekt përfshin mes të tjerash, evidentimin e personave nga diaspora që kanë patur dosje nga Sigurimi i Shtetit dhe më pas publikimin e historive të tyre. Sa e rëndësishme është transparenca për të kalurën komuniste të Shqipërisë dhe persekutimin e mijëra kundërshtarëve politikë, apo qytetarëve të thjeshtë që regjimi i shihte si persona të rrezikshëm për të? Për të biseduar për këto çështje ishin të ftuar në studio Drejtoresha e Aurotitetit të Dosjeve, Gentjana Sulaj dhe anëtari i këtij autoriteti, Simon Mirakaj.
Facebook Forum