Lidhje

Kosovë: Strategji e veçantë për shtimin e njohjeve


Kosovë: Strategji e veçantë për shtimin e njohjeve
Kosovë: Strategji e veçantë për shtimin e njohjeve

Në Kosovë, autoritetet thanë se kanë hartuar një strategji të posaçme për shtimin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës. Deri tash shteti i ri, i cili shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, është njohur nga 75 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. Ajo vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha sot se Kosova është shtet i ri që ka ndikuar në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon, ndërsa u angazhua për forcimin e politikës së jashtme. Ajo i bëri këto komente në njërën nga paraqitjet e rralla që nga zgjedhja e saj në postin e presidentit, pak çaste pasi mori në duar një strategji për shtimin e njohjeve për Kosovën, të hartuar nga ministria e jashtme. Presidentja Jahjaga tha se zbatimi i kësaj strategjie, do të bëhet në bashkërendim më Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Kosova është një shtet që siguron paqe dhe siguri në rajon dhe roli i saj në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe gjithnjë e më shumë po rritet. Ne kemi marrëveshje me shtete të ndryshme të cilat kryesisht hyjnë në spektrin e bashkëpunimit si në qarkullimin e lirë të njerëzve, të ideve dhe të kapitalit dhe ne gjithsesi do t’i vazhdojmë proceset tona në planet e përbashkëta që kryesisht hyjnë në kornizën e zhvillimit ekonomik, fillimisht me shtetet fqinje dhe të prosperitetit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Presidentja Jahjaga.

Strategjia, sipas shefit të diplomacisë së Kosovës Enver Hoxhaj, ka tri pjesë dhe ajo fillimisht analizon gjendjen e Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit të kaluar, e cila përfundoi se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtarë. Strategjia analizon edhe situatën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës dhe metodologjinë e punës për shtimin e njohjeve.

“Pjesa e dytë është një pjesë e cila mbi të gjitha analizon në raste të veçanta secilin shtet veç e veç, pse një shtet i caktuar nuk e ka njohur Kosovën, cilat janë motivet e këtij shteti që s’e ka njohur Kosovën, a janë arsye politike, etnike, kulturore, cila është pozita rajonale e këtij shteti, me cilat shtete ky vend ka relacione të veçanta dhe cilat personalitete në këtë shtet kanë ndikim të veçantë që ky shtet ta njehë Republikën e Kosovës”, tha ministri Hoxhaj, sipas të cilit strategjia parasheh edhe një angazhim më të madh të institucioneve por edhe të opozitës në përpjekjet për shtimin e njohjeve.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa deri tash është njohur nga 75 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. Njohjet më të shumta ndodhën në vitin e parë të pavarësisë, ndërsa ato më vonë u ngadalësuan, madje edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur pritej të ndodhte e kundërta.

Pavarësia e saj kundërshtohet ashpër nga Serbia më të cilën Kosova tashmë ka filluar një proces të ri bisedimesh për zgjidhjen e çështjeve praktike. Autoritetet në Prishtinë besojnë se në fund të këtyre bisedimeve mund të ndodhë edhe njohja e ndërsjellë e Kosovës me Serbinë, por opozita e cila kundërshton bisedimet, shfaq drojën se ato mund të pengojnë procesin e njohjeve.

Aktualisht Kosova ka disa institucione që merren edhe me politikën e saj të jashtme. Përveç presidentit dhe kryeministrit, ajo ka edhe ministrinë e jashtme e tashmë edhe njëri nga gjashtë zëvendëskryeministrat e vendit, zoti Behgjet Pacolli, është ngarkuar me detyrën që të punojë për shtimin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG