Para pak ditësh, autoritetet maqedonase përfunduar ngritjen në Shkup të një statuje të debatueshme të Aleksandrit të Madh, një statujë 11 metra e lartë prej bronxi, e cila i ka tensionuar më tej marrëdhëniet me Greqinë fqinje. Diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar se statuja do të ndërlikojë më tej negociatat midis dy vendeve të cilat deri tani nuk kanë çuar dot në një kompromis për çështjen e emrit.
Vinçat e rëndë e ngritën statujën 40 tonëshe mbi piedestalin 10 metra të lartë në qendër të Shkupit, ndërkohë që qindra njerëz brohorisnin dhe bënin fotografi.
Statuja është quajtur zyrtarisht Luftëtari mbi kalë, por ajo i ngjan mjaft përshkrimeve të Aleksandrit, mbretit të Maqedonisë, që ngriti njërën nga perandoritë më të mëdha të botës së lashtë, e cila arriti deri në Himalaje përpara vdekjes së tij në moshën 32-vjeçare në vitin 323 p.e.s.
Maqedonia dhe Greqia janë mbërthyer në një mosmarrëveshje 20-vjeçare mbi trashëgiminë e lashtë. Të dyja vendet kanë pretendime ndaj Aleksandrit, mbreti luftëtar të lindur në Pella, që tani është në Greqinë veriore.
Kjo statujë e madhe është pjesa kryesore e një projekt ambicioz dhe të debatueshëm të qeverisë maqedonase të quajtur Shkup 2014, i cili synon t’i japë një pamje të re qytetit.
Kostoja përfundimtare e projektit është e paqartë. Qeveria fillimisht shpalli një kosto prej 80 milionë eurosh, ndërsa opozita thotë se projekti ka gëlltitur tashmë rreth 200 milionë euro.
Qeveria thotë se projekti do të krijojë një qytet të denjë për lavdinë e dikurshme të Maqedonisë. Por, sipas kundërshtarëve, ky është një shpenzim i kotë në një nga vendet më të varfra të Evropës.
Një nga kundërshtarët më të fortë të projektit "Shkupi 2014" është Branko Geroski, kryeredaktor i gazetës “Spic”.
Branko Geroski, kryeredaktor i gazetës “Spic”:
"Ka shumë mundësi që kjo të jetë bërë pjesërisht për inat të grekëve, me të cilët ne jemi në sherr. Nga ana tjetër në këtë periudhë ka edhe krizë identiteti të Maqedonisë ".
"Ky nuk është vetëm dështim politik, është edhe një dështim estetik", thotë Geroski.
Por kryeministri Nikolla Gruevski, thotë se projekti do të pasqyrojë lavdinë e lashtë të Maqedonisë, një mendim që ndahet nga shumë maqedonas.
"Aleksandri është simbol i ekzistencës sonë, dhe ne të gjithë e respektojmë këtë vepër madhështore, thotë Dimçe, banor i Shkupit.
Por për Aco Smailin, nga Shkupi, projekti është një shpenzim i panevojshëm.
"Në këtë moment, ai nuk duhet të ishte bërë, njerëzit nuk kanë punë, nuk kanë para, le të ndërtojnë më mirë fabrika për të krijuar vende të reja pune," thotë Smajli.
Vangel Bozhinoski, President i Shoqatës së Arkitektëve të Shkupit thotë projekti nuk është një provokim për shtetin grek.
"Qëndrimi grek do të jetë i njëjtë dhe unë mendoj se ky nuk është një provokim për ta, sepse ai ndryshon asgjë. Kundërshtimi i tyre nuk vjen nga emri. Sepse emri është konfirmuar gjatë gjithë historisë. Maqedonia është ndoshta një vend unik në Evropë që nuk ka emër tjetër," thotë zoti Bozhinoski.
Diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar se statuja do të ndërlikojë më tej negociatat midis dy vendeve të cilat deri tani nuk kanë çuar dot në një kompromis për çështjen e emrit.
Shumë grekë e shohin projektin si një provokim.
"Nuk e kuptoj pse duhet të ketë një statujë të Aleksandrit të Madh në Shkup. Aleksandri nuk ka të bëjë fare me Shkupin. Ai ishte grek. Çfarëdo përpiqen të bëjnë ata nuk do të ketë sukses," thotë Katarine Galanaki nga Athina.
Disa besojnë se qeveria greke duhet të reagojë më fuqishëm ndaj projektit.
"Trajtimi ynë politik i Shkupit është tepër i butë dhe ishte logjike që kjo do të ndodhte? Ata kanë tashmë një aeroport të quajtur Aleksandri i Madh". Politikat e Greqisë duhet të ishin më të ashpra," thptë Kristos Georgapoulos.
Athina kundërshton emrin Maqedoni, pasi sipas saj, kjo nënkupton ambicie territoriale ndaj provincës së saj veriore, vendlindja e Aleksandrit të Madh. Greqia ka penguar tashmë hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe ka bllokuar anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.