Policia spanjolle u përlesh me protestuesit jashtë aeroportit të Barcelonës të hënën, pasi Gjykata Supreme dënoi nëntë ish-udhëheqës separatistë të Katalonjës me disa vite burg lidhur me përpjekjen e tyre për të shpallur pavarësinë nga Spanja në vitin 2017.
Sipas dëshmitarëve policia përdori shkopinj ndaj protestuesve që kishin bllokuar hyrjen në aeroportin El Prat. Kompania që menaxhon aeroportin e Spanjës njoftoi se të paktën 20 fluturime u anuluan.
Protestat u përqëndruan në shërbimet e transportit. Protestuesit në rajonin e Katalonjës ndaluan disa shërbime hekurudhore duke vendosur trarë në shina si dhe bllokuan disa akse rrugë.
Gjykata e Lartë spanjolle dënoi me 9 deri në 13 vjet heqje lirie 9 udhëheqës të Katalonjës për rolin e tyre në përpjekjet për pavarësinë e rajonit në tetor të vitit 2017.
Tre të akuzuar të tjerë u shpallën fajtorë për mosbindje dhe u lanë të lirë.
Të gjithë të akuzuarit u liruan nga akuza më e rëndë, ajo për kryengritje, por udhëheqës të tjerë të Katalonjës e cilësuan menjëherë vendimin si një “mizori” dhe “sulm mbi demokracinë”.
Dënimi më i gjatë prej 13 vjetësh iu shqiptua ish nënpresidentit të qeverisë rajonale të Katalonjës, Oriol Junqueras.
Gjykata i dënoi atë dhe tetë ish udhëheqës të tjerë për nxitje, ndërsa katër prej tyre edhe për keqpërdorim të fondeve publike.
Idh udhëheqësi i qeverisë rajonale, Carles Puigdemont, tha se dënimet janë një “mizori”.
"Sot të gjithë jemi të dwnuar, jo vetëm 12 veta. Ky dënim është sulm mbi demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve”, tha kryetari i parlamentit rajonal të Katalonjës, Roger Torrent.
Aktgjykimi do të ndikojë në zgjedhjet e 10 nëntorit në Spanjë, të katërtat me radhë në katër vjet si dhe mbi qasjen e lëvizjes separatiste të Katalonjës.
Një anketë e muajit korrik vinte në pah se 48.3 për qind e katalonasve ishte kundër ndarjes, ndërsa 44 për qind në favor të saj.
Qeveria qendrore e Spanjës imponoi sundim të drejtpërdrejtë në Katalonja menjëherë pasi parlamenti i saj rajonal votoi për pavarësi më 27 tetor të vitit 2017, në bazë të një referendumi të diskutueshëm, që u mbajt më 1 tetor të atij viti.
Facebook Forum