Lidhje

Dy astronautët e raketës Soyuz do të fluturojnë përsëri


Dy astronautët, të cilët mbijetuan pas dështimit të misionit të raketës ruse Soyuz, do të fluturojnë përsëri. Tani për tani është vendosur që ata të nisen drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës në pranverën e vitit të ardhshëm, njoftoi të premten kreu i Agjencisë Hapësinore ruse “Roscosmos”, Dimitri Rogozin.

Komentet e tij vijnë vetëm një ditë, pasi astronauti rus Alexei Ovchinin dhe ai amerikan Nick Hague bënë një ulje të detyruar në Kazakistan, pas një defekti në anijen hapësinore Soyuz. Aksidenti i së enjtes konsiderohet si më i madhi që ka pësuar një mision hapësinor i Soyuz-it pas incidentit të vitit 1983, kur ekuipazhi i anijes arriti të shpëtojë duke u larguar nga bordi, pak përpara se ajo të shpërthente. Rusia tashmë ndodhet nën presionin për të provuar se programi i saj hapësinor është i sigurt dhe të premten mori shtysë, kur administratori i NASA-s Jim Bridenstine tha se kishte besim të plotë tek raketa ruse Soyuz dhe se pret që astronautët amerikanë të fluturojnë me të sërish. Duke folur për gazetarët në Moskë, zoti Bridenstine tha gjithashtu se ishte i bindur se fluturimi i planifikuar për t’u kryer në muajin dhjetor, i anijes hapësinore Soyuz, prej Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor në Tokë, me tre astronautë në bord, do të ndodhë.

Megjithatë, Moska i ka pezulluar të gjitha udhëtimet hapësinore, deri në nxjerrjen e përfundimeve të sakta, se çfarë nuk funksionoi dhe pse. Kreu i Agjencisë Hapësinore ruse Dimitri Rogozin, ka urdhëruar zhvillimin e hetimeve nga një komision shtetëror, por paralelisht është duke u zhvilluar dhe një hetim. Sergei Krikalev, një zyrtar i lartë i Agjencisë Ruse të Hapësirës Roscosmos, tha të premten se Rusia mund ta shtyjë edhe nisjen e planifikuar, por pa pilot, të një anijeje me ngarkesë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Anijet e pa-pilotuara çojnë ushqime dhe furnizime të tjera për stacionin dhe përdorin të njëjtin sistem raketor sikurse Soyuz. Autoritetet ruse thonë se në stacion ka ushqim të mjaftueshëm, që mund të zgjasë deri në muajin prill. Aktualisht, në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor ndodhen tre astronautë: një gjerman, një rus dhe një amerikan. Kthimi i tyre në Tokë ishte parashikuar të ndodhte në muajin dhjetor, por ata mund të qëndrojnë atje edhe më gjatë.

Në prag të misionit hapësinor gazetarja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, bisedoi me zotin Hague mbi perspektivën e fluturimeve në hapësirë, që tashmë duket disi e mjegulluar pas incidentit që po shqyrtohet nga NASA dhe parnerët rusë.

“Ndihesh i gatshëm, i ngazëlluar, paksa nervoz. Kjo është hera e parë. Të lëshohesh me raketë drejt hapësirës për herë të parë, si mund të mos jesh nervoz?”

Astronauti Nick Hague, i cili foli me Zërin e Amerikës para lëshimit, ndau emocionet e tij, që aktualisht mund të arsyetohen më mirë.

Raketa shtytëse e mjetit hapësinor rus pësoi avari menjëherë pas nisjes. Ai dhe kolegu rus janë në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa zyrtarët kanë pezulluar të gjitha fluturimet me personel në bord, deri në gjetjen e e arsyes së defektit.

“Amerika nxori jashtë përdorimit anijet e saj të hapësirës në vitin 2011. Ka shtatë vite që vatja në stacionin hapësinor kryhet përmes sistemeve ruse të transportit”, thotë John Logsdon me Institutin e Politikave Hapësinore në Universitetin Xhorxh Uashington.

Koloneli Hague u trajnua pesë vite rrjesht për misionin jashtë tokësor.

“Do të jem jashtë këtij planeti për gjashtë muaj. Është diçka që ende po

mundohem ta kuptoj në mendjen time”, tha zoti Hague për Zërin e

Amerikës ndërsa përgatitej për misonin tashmë të dështuar.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës është angazhimi më i madh

ndonjëherë hapësinor - 14 vendeve ndërtuan dhe drejtojnë strehën

satelitore.

"Është me të vërtetë e pashembullt, dhe një nga përfitimet e rendësishme është demonstrimi i bashkëpunimit paqësor, jo vetëm mes aleatëve, por midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pavarësisht të gjitha tensioneve aktuale mes dy vendeve”, thotë John Logsdon me Institutin e Politikave Hapësinore në Universitetin Xhorxh Uashington.

Astronauti Hague tha për Zërin e Amerikës, para misionit të mbetur në mes, se kishte patur një eksperiencë të mrekullueshme me eksploruesit e hapësirës nga mbarë bota dhe se priste me padurim ecjen në hapësirë të planifikuar për në dhjetor.

“Kur të më jepet shansi të dal jashtë stacionit dhe të shikoj tokën rreth 400 kilometra larg, kjo do të jetë një ndjesi e papërshkueshme”.

Deri më tani, vetëm 250 njerëz kanë jetuar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, i cili feston 20 vjetorin muajin që vjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG