Lidhje

Sot raundi i tetë i bisedimeve Kosovë – Serbi


Sot raundi i tetë i bisedimeve Kosovë – Serbi
Sot raundi i tetë i bisedimeve Kosovë – Serbi

Sot në Bruksel, mbahet raundi i radhës së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë raund do të diskutohet për një gamë çështjesh, por kryesorja është çështja e vendkalimeve kufitare në veriun e Kosovës. Prishtina është shprehur e gatshme të diskutojë për menaxhimin e përbashkët të kufirit, ndërsa Beogradi thekson se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nënkupton njohje të kufirit me Kosovën.

Bisedimet e sotme ndodhin në një periudhë të zhvillimeve të dhunshme në veriun e Kosovës ku gjatë ditëve të fundit të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë që po mbajnë të bllokuara rrugët në atë zonë në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës.

Dhuna është dënuar gjerësisht nga autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendase, ndërsa forcat paqeruajtëse thanë se do të përdorin të gjitha mjetet e përshtatshme për të mbrojtur jetën e ushtarëve të KFOR-it.

Në prag të bisedimeve të sotme, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, bëri thirrje për largimin e barrikadave në veriun e Kosovës duke nënvizuar se ato nuk sigurojnë mbrojtjen e asnjë interesi kombëtar të serbëve, përkundrazi, sipas tij, shkallëzimi i dhunës rrezikon atë interes.

Ai tha se për shkak të zhvillimeve të djeshme, Serbia sot është më larg statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian sesa ishte një ditë më herët.

Javën që vjen pritet vendimi rreth propozimit që Serbisë t’i jepet ky status, por, kusht është përparimi në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën që nënkupton ç’tendosjen e situatës në veriun e Kosovës.

Qëndrimet e presidentit serb nuk janë komentuar në Prishtinë, ndërsa në Serbi kanë nxitur reagime të ndryshme. Ndërkohë që një pjesë e forcave politike atje e kanë mbështetur atë, opozita e ka kritikuar ashpër.

XS
SM
MD
LG