Lidhje

Soçi: Fillon hokej në akull për meshkuj


Ekipi rus i meshkujve në hokej në akull shpreson të arrijë rezultate më të mira këtë vit, krahasuar me rezultatet e dobëta që pati në Olimpiadën e Vankuverit në Kanada, ndërkohë që kanadezët do të përpiqen të mbrojnë titullin e tyre dhe amerikanët synojnë të marrin medaljen e artë pas medaljes së argjendtë në vitin 2010. Parke Brewer e Zërit të Amerikës njofton nga Soçi.

Ndoshta në një shenjë solidariteti, i gjithë ekipi rus i meshkujve në hokej në akull mori pjesë në një konferencë shtypi para garave në qendrën kryesore të shtypit në Soçi. Ata tërhoqën grupin më të madh të medias për një sesion të ngjashëm zyrtar të zhvilluar me atletët.

Zakonisht marrin pjesë vetëm presidenti ose menaxheri i përgjithshëm i ekipit, trajneri, kapiteni dhe pak lojtarë. Si të gjithë ekipet më të mirë në Soçi, ekipi rus ka plot profesionistë nga Liga Kombëtare e Hokejit e Amerikës Veriore.

Rusët synojnë të fitojnë medaljen e parë të artë në këtë sport që prej vitit 1992, kur ata luajtën me ekipin me emër Ekipi i Bashkuar, një ekip i përbërë nga sportistë nga 15 ish republikat sovjetike.

Para 4 vjetësh në Vankuver, rusët u ndjenë të turpëruar në çerekfinalet, kur humbën kundër organizatores, Kanadasë me rezultatin 7 me 3. Kjo humbje i la ata me një ndjenjë të hidhur dhe dëmtoi rëndë entuziazmin e sportdashësve.

Dhe kjo është arsyeja që presioni do të jetë edhe më i madh ndaj tyre kur të luajnë para sportdashësve në Soçi.

Sulmuesi rus Alex Ovechkin, yll i ekipit Washington Capitals të Ligës Kombëtare të Hokejt, e pranoi këtë gjë.

“Cilido vend që është organizator i lojrave olimpike përballet me më shumë presion dhe jam më se i sigurtë se jemi në të njëjtën pozitë si Kanadaja para 4 vjetësh. Në të njëjtën kohë jam më se i sigurtë se ne kemi njerëz me përvojë dhe të aftë për të përballuar këtë presion. Nuk kam asnjë dyshim se çdo gjë do të shkojë mirë. Sapo ne vëmë këmbën në akull, jam i sigurtë se ne të përqëndrohemi tek fitorja e lojës dhe jo në presionin që ekziston dhe aspekte të tjera”.

Kanadaja, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara pritet të jenë sfiduesit kryesorë për ekipin rus.

Në Vankuver, ekipi amerikan humbi medaljen e artë në ndeshjen kundër Kanadasë me rezultatin 3-2.

Kapiteni i ekipit amerikan, Zach Parise, sulmues me ekipin Minnesota Wild të Ligës Kombëtare të Hokejt të Amerikës Veriore, shënoi golin e barazimit kundër Kanadasë, që çoi në kohë shtesë. Ai thotë se amerikanët janë të etur për të shkuar deri në ndeshjen finale, megjithëse ata e dinë se nuk do të jetë e lehtë.

“Rezultati kaq i ngushtë në Vankuver ishte diçka e veçantë, por edhe një fakt i vështirë për t’u pranuar sepse vendi i dytë në lojrat para 4 vjetësh nuk na garanton ne asgjë në këto lojra. Ne e dimë fare mirë se sa e vështirë është që të arrijmë deri në lojën finale. Shumë gjëra duhet të shkojnë si duhet që kjo të bëhet realitet”.

Zach Parise thotë se ndërsa kanadezët arritën rezultate të mira si vendi organizator para 4 vjetësh në Vankuver, tani është radha e rusëve të përpiqen të arrijnë të njëjtin sukses.

Rusët e kanë ndeshjen e parë të grupit të enjten, kundër Sllovenisë. Të shtunën ata do të kenë përballë Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që ekipi amerikan zhvillon lojën e parë të enjten kundër Sllovakisë.
XS
SM
MD
LG