Lidhje

Për herë të parë, indeksi i skllavërisë në botë


Indeksi për gjendjen e skllavërisë moderne tregon se rreth 30 milion njerëz jetojnë sot në skllavëri

Fondacioni Walk Free me qendër në Australi ka nxjerrë për herë të parë Indeksin e Skllavërisë në Botë, një renditje e 162 vendeve bazuar në shifrat për skllavërinë moderne. Raporti arrin në përfundimin se dhjetëra miliona njerëz në mbarë botën jetojnë në kushte të ngjashme me skllavërinë, shumica prej tyre në Azi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell bisedoi me hulumtuesin kryesor të raportit rreth arsyeve se përse njerëzimi vazhdon të luftojë me këtë problem të vjetër.

Shpesh mendohet se skllavëria është relik i shekujve të shkuar, dhe është e ndaluar ndërkombëtarisht. Por është një realitet shokues sot për gati 30 milion njerëz kudo në botë.

Indeksi i parë për Skllavërinë Globale, i publikuar të enjten, është plot me shifra të tilla befasuese. Hulumtuesi Kevin Bales, duke folur për Zërin e Amerikës nga Londra, thotë se Fondacioni Walk Free e hartoi indeksin për të rritur ndërgjegjësimin ndaj gjendjes së skllevërve të kohëve moderne. Ai e përshkruan kështu gjendjen rrëqethëse të jetës së një skllavi në vitin 2013.

“Nëse pyesni se cili është shembulli më i zakonshëm i një skllavi sot, do të përmendja dy lloje: Njëri është lloji i skllavërisë së trashëguar në Azinë jugore, ku ka familje që kanë lindur në skllavëri, vdesin në skllavëri, apo ku një familje i përket një familjeje tjetër prej disa brezash. E vetmja gjë që dinë ata është skllavëria. Atyre u duket normale që të keqtrajtohen apo të përdhunohen, nuk pretendojnë për asnjë lloj jete tjetër përveç asaj të një skllavi. Për sa i përket llojit të dytë, skllavëria më e zakonshme sot është ajo e një emigranti ekonomik, njeriu që përpiqet të përmirësojë jetën e tij, ose të familjes dhe fëmijëve të tij. Dhe kështu ai është në kërkim të një vendi të sigurt, të një pune dhe ekzistojnë kriminelë të cilët përfitojnë nga kjo dëshirë për siguri dhe punë duke i joshur njerëzit të shkojnë jashtë vendit, ku ata pastaj mund të përfundojnë në skllavëri.”

Mauritania është vendi ku skllavëria moderne është më e dukshme se kudo tjetër. Ky vend i Afrikës perëndimore ka një histori skllavërie trashëgimore të bazuar në grupe etnike. Indeksi llogarit se atje jetojnë deri në 160,000 skllevër, nga një popullsi prej vetëm 3,8 milionë banorësh. Qeveria e Mauritanisë është përpjekur disa herë, dhe ka dështuar, për ta eliminuar këtë praktikë; përpjekja më e fundit ka qenë në vitin 2007.

Zoti Bales pranon se disa nga llogaritjet e indeksit janë të matura por në vitet e ardhshme, do të përmirësohen.

Sipas llogaritjeve, India ka numrin më të madh të skllevërve modernë. Ky vend me 1,2 miliard banorë mendohet të ketë 14 milion njerëz që jetojnë në kushte të ngjashme me skllavërinë, të cilat përfshijnë punën e detyruar, martesën e detyruar, dhe skllavërinë për shkak të borxheve.

Fondacioni arrin në përfundimin se Azia është vendi ku ndodhen 72 për qind e skllevërve të botës. Kina dhe Pakistani renditen përkatësisht në vendet e dytë dhe të tretë, pas Indisë. Kina mendohet të ketë 2,9 milion skllevër.

Pakistani, popullsia e të cilit është sa 13 për qind e popullsisë së Kinës, ka 2,1 milion.

Vendet me shifrat më të mëdha të skllevërve kanë të përbashkët varfërinë, korrupsionin dhe konfliktin. Hulumtuesit theksojnë gjithashtu se gratë janë të prekura mjaft nga skllavëria, pjesërisht për shkak të martesave të detyruara dhe martesave në moshë të mitur.

XS
SM
MD
LG