Me moton “është mirë për shëndetin, për xhepin dhe për mjedisin”, qyteti Denver në Kolorado ka organizuar një mënyrë të përballueshme, të pastër dhe të thjeshtë për trasportin e qytetarëve dhe vizitorëve, udhëtimet me biçikleta. Ky është rrjeti i parë, më i madh i përdorimit të biçikletave publike në Shtetet e Bashkuara.
Sistemi i biçikletave, B-cycle në Denver ka si synim të ndihmojë banorët dhe vizitorët të shtojnë aktivitetin e përditshëm, të kursejnë para dhe të reduktojnë çlirimin e gazit karbonik.
Ky është një stacion biçikletash në qendër të qytetit dhe u inaugurua me rastin e 40 vjetorit të Ditës së Tokës. Të gjitha stacionet janë të hapura për të funksionuar në kohë me shi, me erë apo me breshër, thotë Peri Barnap, Drejtor i Nismës së Biçikletave në Denver.
“Është një formë i mirë për të zgjidhur disa probleme në të njejtën kohë; ajo kombinon çështje të mjedisit me ato kulturore dhe ekonomike. Biçikletat u shërbejnë njerëzve për fizkulturë, ulin nivelin e gazit karbonik në atmosferë dhe krijojnë kushtet për të qnë të lidhur më shumë me komunitetin”.
Sistemi B-cycle i Denverit është programi i parë më i madh i komunikacionit me biçikleta në gjithë Shtetet e Bashkuara. Edhe qytete të tjera si Nju Jorku, Mineapolisi, Bostoni dhe Uashingtoni kanë filluar të ngrenë stacionet e biçikletave publike.
Stacionet janë të hapura gjatë gjithë javës, por nga ora 11 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit njerëzit mund t’i kthejnë biçikletat por nuk mund t’i marrin ato. Me më shumë se 500 biçikleta të kuqe dhe 50 stacione B në gjithë qytetin, programi është mjaft tërheqës për shumë njerëz.
BikeDenver, organizata jo fitim prurëse që ka në pronësi dhe administron sistemin B-cycle, po tërheq studentët dhe të moshuarit duke u ofruar tarifa më të ulta. Përdoruesit mund të regjistrohen nëpërmjet internetit për një ditë, një javë, një muaj apo një vit.
Shkencëtarja e mjedisit, Sindi Bosko, punon për zyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe për Greenprint të Denverit.
“Ne kemi si qëllim reduktimin me 20 përqind të çlirimit të gazit karbonik deri në vitin 2025, duke e ulur nivelin në atë të vitit 1990. Transporti i makinave llogaritet për 30 përqind të efektit serë, prandaj format e tjera të trasportit, si biçikletat, janë në interes të qytetit. Kryetari i Bashkisë ka vënë në rendin e ditësh shtimin me 10 përqind të përdorimit të biçikletave deri në vitin 2018”.
Anëtarët e rrjetit B-cycle të Denverit mund t’i marrin biçikletat në çdo stacion që të jetë më i favorshëm për ta dhe t’i lënë po ashtu atje ku është më e përshtatëshme. Biçikletat janë të pajisura me GPS dhe targat e tyre identifikohen elektronikisht për çështje sigurie dhe inventarizimi, nëse përdoruesi nuk e kthen biçikletën brenda 24 orësh.