Lidhje

Vështirësi dhe pasiguri për refugjatët sirianë


Aktivistët e opozitës siriane thonë se avionë qeveritarë kanë bombarduar një kamp palestinez në një lagje periferike në jug të Damaskut duke vrarë të paktën 8 persona. Sipas aktivistëve, ky është sulmi i parë i ndërmarrë që nga fillimi i konfliktit kundër kampit të refugjatëve Yarmouk. Luftimet që vazhdojnë prej afro dy vjetësh, kanë detyruar më shumë se 500 mijë sirianë të kërkojnë strehim në vendet fqinje – Turqi, Liban, Irak dhe Jordani. Sipas Komisionerit të Lartë për Refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara, numri më i madh i refugjatëve, 150 mijë prej tyre, ndodhen në Liban. Megjithëse i kanë shpëtuar rrezikut ndaj jetës, ata hasin në vështirësi të përditshme nga mungesat e artikujve jetikë:

Ndjehet stina e dimrit në këtë parkim në Liban. Por tani në këtë hapësirë nuk gjen vetëm makina, por edhe familje siriane që kanë kërkuar strehim përtej kufirit.

Um Khalid thotë se ujë i ftohët pikon mbi fytyrën e mbesës 10 ditëshe, Nimar. Familja nuk ka para të blejë vajguri për ngrohje. Me rënien e temperaturave gjatë natës, të 15 anëtarët e familjes mblidhen në këtë dhomë dhe mundohen të flenë.

Um Khalid thotë se i kanë shpenzuar të gjitha paratë, që kur ikën nga Siria dy javë më parë:

“Kemi pak ushqim. Kishim para, por i kemi shpenzuar. Tani na duhet të gjejmë një mënyrë për të blerë vajguri që të ngrohen fëmijët”.

Abu Khalid, babai i foshnjes thotë se banesa e tyre në rrethinat e Damaskut u shkatërrua nga një predhë qeveritare. Kur ata u larguan, ai ishte plagosur në këmbë.

Vala kryesore e refugjatëve vjen nga kryeqyteti sirian përmes një kalimi mes maleve në Liban. Sirianët presin për orë të tëra për kontrollin e pasaportave në kufi. Në qytet, një shoqatë bamirëse islamike shpërndan dyshekë, batanije, qilima për dyshemenë dhe sapun nga donacionet ndërkombëtare.

Mahmudi thotë se iku nga Siria me të shoqen dhe dy vajzat, pasi trupat qeveritare masakruan banorët e një fshati pranë tyre:

“Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët po na jep ndihma prej afro 31 dollarësh për njeri në muaj. Por kemi nevoja të tjera. Këto para i përdorim për ushqim. Na duhet lëndë djegëse për ngrohje”.

Të paktën gjysma e refugjatëve sirianë janë fëmijë. Ata që janë me fat gjejnë vend për t’u ulur në bankat e mbushura të shkollës.

Por Deeb Abdel Khalik, drejtor i shkollës dhe i qendrës së shpërndarjes, i shqetësohet mundësisë së një betejë të përgjithshme në Damask:

“Nëse shpërthen beteja në shkallë të gjerë në Damask, do të përballemi me një katastrofë të vërtetë humanitare, pasi po afron periudha e motit më të vështirë të vitit”.

Dhe në kushte të tilla, vendi i parë ku sirianët do të kërkojnë ndihmë do të jetë Libani, në anën tjetër të kufirit.
XS
SM
MD
LG