Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Ukrainën se po zgjedh terrorin mbi paqen, pas atyre që ai i quan “sulme” në Krime dhe që thotë se ishin orkestruar nga ushtria ukrainase dhe forcat e zbulimit. Duke folur dje në Moskë, presidenti Putin akuzoi udhëheqësit e Ukrainës se po provokojnë konflikt. Ukraina reagoi duke thënë se akuzat janë qesharake, megjithatë Presidenti Poroshenko i ka urdhëruar të gjitha njësitë ushtarake pranë Krimesë dhe në rajonin lindor Donbas të jenë në në gatishmërinë më të lartë. Ndërsa tensionet ushtarake janë shtuar pranë Krimesë edhe në rajonin lindor rusisht-folës të Donbasit, analistët i shohin veprimet e Rusisë si pjesë e një loje më të madhe për destabilizimin e Evropës.
“Një përpjekje për të provokuar një përshkallëzim të dhunës, për të provokuar një konflikt nuk është gjë tjetër veçse një dëshirë për ta larguar vëmendjen e vendit nga ata që kanë rrëmbyer pushtetit në Kiev, që vazhdojnë ta mbajnë dhe vjedhin nga populli i vet”.
Zoti Putin tha se Rusia do të merrte “masa serioze shtesë” për të garantuar sigurinë e infrastrukturës dhe qytetarëve të saj.
Presidenti rus tha se veprimet e Kievit ishin “të pamenduara” dhe “kriminale” dhe për këtë arsye nuk kishte kuptim që të mbaheshin bisedimet e planifikuara për procesin e paqes në Ukrainën Lindore.
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko i hodhi poshtë pretendimet e Putinit, duke i quajtur “cinike dhe të çmendura”. Ai tha se “ne nuk do të përdornim kurrë terror për të çliruar Krimenë”.
Ai tha dje se Ukraina është e përkushtuar që ta rikthejë “sovranitetin dhe tërësinë e saj territoriale vetëm me mjete politike dhe diplomatike. Kjo përfshin çlirimin e Krimesë”.
Megjithatë sot ai
Në Nju Jork, ambasadori ukrainas në Kombet e Bashkuara, Volodymyr Yelchenko, tha se akuzat e Rusisë ishin “krejtësisht qesharake” dhe se Ukraina nuk po përpiqet të zgjidhë asnjë problem me Rusinë me mjete ushtarake.
“Ne vazhdojmë të shpresojmë që (zhvillimet e fundit) nuk do ta përshkallëzojnë konfliktin. Por për fat të keq gjasat që kjo të ndodhë janë të mësdha”.
Me kërkesën e Ukrainës, Kombet e Bashkuara mbajnë sot një seancë me dyer të mbyllura për të diskutuar përshkallëzimin e tensioneve.
Shërbimi rus i Sigurisë Federale thotë se ka parandaluar “sulme terroriste” në Krime nga ushtria dhe forcat e zbulimit ukrainase gjatë fundjavës.
Zyrtarët ukrainas druhen se Kremlini po përpiqet për një ofensivë tjetër destabilizuese në lindje. Ata thonë se është pjesë e luftës hibride të Moskës që përfshin manovra të pandershme dhe dizinformim për ta kthyer Ukrainën në orbitën ruse dhe për të zgjatur një gjendje pasigurie për të mos lejuar qeverinë e Kievit që të realizojë reformat politike që kishin kërkuar protestuesit në Sheshin e Pavarësisë në Kiev.
Tensionet po shtohen jo vetëm në rajonin separatist të Donbasit por edhe në kufirin mes Ukrainës dhe Krimesë pas mbylljes dhe hapjes disa herë të të treja pikëkalimeve kufitare nga Rusia.
Kievi e akuzoi Moskën para dy ditësh se ka intensifikuar aktivitetin ushtarak në gadishullin e Krimesë.
Ata thonë se helikopterë ushtarakë dhe drone zbulimi po fluturojnë gjithashtu përgjatë kufirit.
Ndërkohë Ukraina po përforcon njësitë ushtarake në Kherson, rajoni ukrainas pranë Krimesë dhe banorët thonë se kanë diktuar raketahedhëse kundra tank të transportohen nga forcat ukrainase.
Për botën e jashtme, përplasjet në rajonin e Donbasit janë një tjetër “konflikt i ngrirë” shkaktuar nga Moska, duke sabotuar ish-vende sovjetike në periferinë e Rusisë, si Gjeorgjia dhe Moldavia dhe duke bllokuar përpjekjet e tyre për të lënë pas të kaluarën komuniste dhe në rastin e Ukrainës, anëtarësimin në institucionet perëndimore.
Analistja Anne Applebaum, një eksperte e çështjeve ruse dhe të Evropës Lindore tha në një intervistë për shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës se synimi final i Vladimir Putinit është të shkatërrojë Bashkimin Evropian dhe të sabotimit të NATO-s, të nxjerrë amerikanët jashtë Evropës dhe të ketë një Evropë të sigurt për paratë e korruptuara ruse dhe bizneset ruse.
“Nuk e di nëse do të ketë sukses. Por mund të shkaktojë një dëm të jashtëzakonshëm duke u përpjekur. Mund të destabilizojë politikat në gjithë rajonin, e dime që mund të destabilizojë Ukrainën, sepse e ka bërë më pare, mund të destabilizojë Evropën Qendrore, mund të ndihmojë ardhjen në pushtet të partive të së djathtës ekstreme dhe së majtës ekstreme në gjithë kotinentin dhe mendoj se në vitet në vazhdim mund të shkaktohet një dëm i madh”.
Për momentin, përsa i takon Rusisë dhe Ukrainës, të dyja palët duket se po përgatiten për një përshkallëzim të gjendjes.