Qeveria shqiptare publikoi sot një plan të ri veprimi në luftë kundër trafiqeve njerëzore për dy vitet e ardhshme, duke theksuar se policia ka nevojë për mbështetjen e shoqërisë civile që të arritjë rezultate në këtë fushë. Kryeministri Sali Berisha tha se kjo luftë ndaj krimit nuk është një detyrë thjesht dhe vetëm e forcave të rendit. Në konferecën ku u shpalos plani i ri veprues zoti Berisha tha se trafikimi i fëmijëve dhe vajzave nuk mund të luftohen me sukses, nëse nuk merr pjesë dhe nëse nuk ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria.
“Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe institucionet që merren me problemet e trafikimit të fëmijëve dhe të grave kanë detyrë kryesore zbatimin e ligjit, por po kaq e rëndësishme është që ata të bëjnë çdo gjë që këtë çështje ta shndërrojnë në çështje të çdo komuniteti” - tha ai.
Zoti Berisha tha se qeveria po punon për të ulur varfërinë, si një shkak kryesor i trafiqeve, por zyrtarët dhe vetë shoqëria sipas tij, duhet të bëhen më të ndjeshëm dhe më aktivë për të mbështetur shtresat në nevojë.
Nga ana tjetër, organizatat e shoqrisë civile, theksojnë se antitrafiku shpesh keqkuptohet si një veprimtari ndërkombëtare. Drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Altin Hazizaj, thotë se trafikimi i brendshëm është po aq i rrezikshëm sa edhe ai ndërkombëtar.
“Shqipëria ka probleme të jashtëzakonshme me shfrytëzimin e brendshëm të fëmijëve. Sot fëmijët shfrytëzohen për lypësi në qendër të Tiranës dhe në qendër të qyteteve të mëdha. Shfrytëzohen për punë të paligjshme familjare apo edhe për punë të paligjshme në ndërmarrje private. Ne vazhdojmë që të mos marrim asnjë masë mbrojtëse për fëmijët ndaj këtyre dukurive” - tha ai.
Në Qendrën për Nisma Ligjore e Qytetare, avokatja Besa Saraçi thotë se ligjet shqiptare janë të ashpra, por duhet më shumë këmbëngulje që të zbatohen ato. Gjykata e Tiranës sapo ka dhënë një vendim gjyqësor kundër një trafikanti dhe krahas burgut, për herë të parë një trafikant u dënua edhe me një shumë dëmshpërblimi ndaj viktimës së trafikut. Po ashtu, një rast i ngjashëm është edhe në gjykatën e krimeve të rënda.
“Pas rastit të parë, ne aktualisht jemi në një proces tjerër gjyqësor në gjykatën e krimeve të rënda me një autor tjetër të veprës penale për trafikimin e qenieve njerëzore. Ne përfaqësojmë viktimën në këtë rast me padi civile në proces penal dhe kemi kërkuar nga autori i veprës penale dëmshpërblim material në favor të viktimës, si një kompensim moral ndaj saj. Mendojmë se ligji shqiptar i ka mundësitë që viktimat e trafikut të kenë mbrojtje dhe akses në gjykatë, dhe që autorët e trafiqeve të dënohen” - tha ajo.
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi disa ditë më parë Raportin Vjetor për Trafikimin e Njerëzve, ku thuhet se Shqipëria është një vend-burim për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve. Në raport thuhet se rreth gjysma e viktima për vitin 2010 ishin gra dhe vajza, viktima seksi në hotele dhe banesa private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ndërsa fëmijët janë shfrytëzuar kryesisht për të kërkuar lëmoshë dhe për forma të tjera të punës së detyruar. Raporti nënvizon se Shqipëria i ka shtuar përpjekjet për zbatimin e ligjeve kundër trafikut në vitin 2010 dhe mbrojtjen e viktimave, por këto përpjekje po pengohen së tepërmi nga korrupsioni në të gjitha nivelet dhe sektorët.