Qeveria shqiptare vendosi sot gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Qarkun e Shkodrës. “Shirat janë të jashtëzakonshëm dhe lumenjtë malorë po mbushin me shpejtësi hidrocentralet, ndaj është i detyrueshëm një shkarkim i konsiderueshëm i liqenit në Vaun e Dejës, për të mbrojtur digat dhe gjithë sistemin e kaskadës energjitike” - tha kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Zoti Berisha tha se qeveria po merr çdo masë për të mbrojtur njerëzit dhe vazhdimësinë e jetesës me strehim, ushqim dhe shkollimin e fëmijëve.
Kryeministri Berisha tha se “shkarkimet aktuale në portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës janë të mëdha, por duhen rritur më tej, sepse edhe rreshjet që po vijnë lumenjtë alpinë janë akoma më të mëdha.
Sipas tij, ushtria ka dërguar gjithë mjetet e transportit tokësor dhe ujor për të kryer evakuimin e banorëve, që po vazhdon me shpejtësi pa humbje njerëzore. Ata po strehohen në hotele dhe fjetina, ku po u sigurohen ushqime dhe ngrohje. Parashikimet sinoptike flasin për rreshje të dendura për shumë ditë, - tha zoti Berisha, - ndaj edhe masat e emergjencës do të jenë afatgjata.