Në Shqipëri prokuroria rrëzoi sot variantin e rrëmbimit të Griselda Roshit, bashkëshortes së kryebashkiakut të porsazgjedhur të Kavajës Elvis Roshi e cila rrëfeu dje pranë autoriteteve të drejtësisë se ishte marrë forcërisht në Tiranë nga disa persona të panjohur dhe më pas ishte detyruar të bënte një lindje të parakohshme, pas së cilës rrëmbyesit i kishin mbajtur edhe fëmijën. “Në bazë të analizës të veprimeve hetimore të deritanishme, u arrit në konkluzionin se nuk ka elementë që të vërtetojnë rrethanat e pengmarrjes së shtetases Griselda Roshi, çfarë hedh poshtë pistën e variantit të rrëmbimit dhe marrjes peng të fëmijës së sapolindur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Më vonë, burime të policisë së cilës i janë referuar mediat shqiptare, bënë të ditur se pas ekspertizës mjeko-ligjore ka rezultuar se Griselda Roshi nuk ishte madje as shtatzënë. Bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës rrezikon tanimë të kthehet në të akuzuar për veprën e dëshmisë së rreme. |
Shqipëri, prokuroria hedh poshtë variantin e rrëmbimit të Griselda Roshit
- Armand Mero
- Tiranë