Partitë kryesore u kujdesën në mbrëmje që të regjistronin në minutat e fundit të afatit ligjor kandidatët e tyre për bashki e komuna nëpër komisione zonale, duke fashitur debatet e brendshme për një mori emrash nga degët e rretheve. Partia Socialiste numëroi në mbrëmje një listë të gjatë emrash dhe vendet bosh për aleatët, ndërsa Partia Demokratike njoftoi se kandidati i saj për Tiranën Lulëzim Basha u regjistrua në KQZ.
Afati i regjistrimit të kandidatëve është i vetmi afat që forcat politike nuk shkelin asnjëherë, ndërkohë që janë tejkaluar shumë afate të tjera ligjore në procesin e përgatitjeve për zgjedhjet. Partitë politike pritet të zhvillojnë sot një tryezë të rrumbullakët për të bashkëpunuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore. Gjatë dy vjetëve të fundit nuk u ulën asnjëherë për të diskutuar 31 rekomandimet e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it si ndryshime të nevojshme në Kodin Zgjedhor.
Partitë pjesëtare të parlamentit i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së nënkryetarit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, “për të mbajtur takimin në prani edhe të OSBE-së mbi çështje që lidhen me përgjegjësitë e partive në procesin zgjedhor”. Megjithatë opozita socialiste nuk e ka fshehur skepticizmin për rezultatet e kësaj tryeze. Përfaqësues të tyre janë shprehur se “ky takim është një formalitet për të shprehur vullnetin e mirë në prag të fushatës dhe në sy të ndërkombëtarëve, por që nuk mund të zgjidhë problemet reale që ka procesi zgjedhor”.
Megjithatë përfaqëuesit e shumicës mendojnë se kjo tryezë do të shmangë “politizimin e aspekteve teknike të proçesit”, sic u shpreh OSBE/ODIHR-i në raportin për zgjedhjet e vitit 2009. Raporti kërkon zbatimin e ligjit dhe ruajtjen bashkarisht të integritetit të procesit zgjedhor. Përfaqësuesit e PD-së pohuan në ftesat e tyre për partitë se një pjesë e rekomandimeve në raportin e OSBE/ODIHR-it u drejtohen drejtpërdrejtë partive politike, dhe se është detyra e tyre të gjejnë një mirëkuptim për to.
Gara e zgjedhjeve vendore ka nisur tashmë dhe shumë kandidatë kanë nisur takimet me votuesit e tyre. Disa deputetë me ndikim në zonat e tyre dorëzuan mandatet parlamentare dhe po kandidojnë për kryetarë bashkish, dhe ministri i brendshëm Lulëzim Basha la mandatin e deputetit dhe postin ministror për të kandiduar për bashkinë e kryeqytetit.