Lidhje

Shqipëri: Komisioni parlamentar për hetimin e 21 janarit kërkon tabulatet telefonike të krerëve më të lartë të shtetit


Shqipëri: Komisioni parlamentar për hetimin e 21 janarit kërkon tabulatet telefonike të krerëve më të lartë të shtetit
Shqipëri: Komisioni parlamentar për hetimin e 21 janarit kërkon tabulatet telefonike të krerëve më të lartë të shtetit

Në Shqipëri komisioni parlamentar hetimor i ngritur për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit vendosi mbrëmë që t’i kërkojë kompanive të telefonisë mobile tabulatet telefonike të krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë edhe presidentin Bamir Topi, të drejtuesve të opozitës duke nisur nga kryetari socialist Edi Rama si dhe të prokurores së përgjitshme dhe drejtorit të shërbimeve sekrete. Vendimi i komisionit pason qëndrimin e hapur të shumicës dhe qeverisë sipas të cilave kreu i shtetit, prokurja e përgjithshme dhe drejtuesit e shërbimeve sekrete kanë qenë përfshirë në përpjekjen për grusht shteti, sic ato cilësojnë manifestimin e javës së shkuar që degjeneroi në përplasje me forcat e policisë

Komisioni hetimor parlamentar i ngritur mbrëmjen e së dielës së shkuar vetëm me votat e shumicës së djathtë vendosi mbrëmë që të kërkojë nga kompanitë e telefonisë mobile tabultatet telefonike të drejtuesve më të lartë të shtetit, të prokurorisë dhe shërbimeve sekerete si dhe të një numëri të madh deputetësh dhe eksponentësh të opozitës. Kërkesa u bë nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj gjatë mbledhjes së mbrëmshme të komisionit.

"Më lind e nevojshme duke parë atë që ndodhi në datë 21 janar, i konceptuar si një grusht i qartë dhe i plotë shteti, i kryer nga forca që kanë mbështetje politike, më del e nevojshme për të krijuar një panoramë të plotë të qëndrimit dhe sjelljes së institucioneve shtetërore, të bashkëveprimit dhe të ndërveprimit të tyre, të marr informacion mbi bashkëveprimin e titullarëve të këtyre institucioneve nëpërmjet marrjes së skedarëve të rregjistrimit të thirrjeve dhe komunikimeve të titullarëve të këtyre institucioneve".

Komisioni kërkon mes të tjera tabulatet telefonike të kreut të shtetit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së parlamentit Jozefina Topalli, kryetarit të partisë socialiste Edi Rama, prokurores së Përgjithshme Ina Rama, drejtorit të shërbimit informativ Bahri Shaqiri dhe zëvendësit të tij, ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, komandantit të Gardës dhe shume deputetëve socialistë.

Sipas deputetit demokrat Alibeaj kërkesa mbeshtetet në ligjin për komisionet hetimore, atë të Kodit të Procedures Penale dhe ligjit për komunikimet elektronike. Neni 91 i këtij ligji të cilit i referohej zoti Alibeaj përcakton se “Skedarët duhet t’u vihen në dispozicion, edhe në formë elektronike, autoriteteve që përcakton Kodi i Procedurës Penale, në bazë të kërkesës së tyre”. Ndërsa neni 191 i kodit të procedurës penale të cilit i referohet komisioni bën fjalë për marrjen e dokumentave. Pas reagimeve të para mediatike, kryetari i komisionit Eduard Halimi saktësoi se nuk bëhet fjalë për përgjime telefonike dhe se komisioni hetimor kryen të njejtat veprime me ato të prokurorisë.

Ky vendim i komisionit pason qëndrimin e hapur të qeverisë dhe kryeministrit sipas të cilit në përpjekjen e opozitës për organizimin e një grushti shteti janë përfshirë edhe Prokurorja e Përgjithshme e shërbimet sekrete e madje edhe presidenti Bamir Topi. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse mundet që komisioni të shqyrtojë komunikimet personale të presidentit, apo qoftë dhe drejtueses së Prokurorisë e aq më tepër të drejtorit të shërbimeve sekrete, natyra e punës të së cilit është mjaft delikate. Deputeti Halimi tha mbrëmë se tabultatet telefonike nuk janë sekrete pasi ato i dorëzohen cdo zyre finance të institucioneve, qoftë dhe ato të titullarëve të këtyre institucioneve. Një gjë eshtë e sigurt, se kjo cështje do të ndez dhe më tej debatet, në një klimë e cila dhe keshtu është tejet e tendosur.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG