Lidhje

Shqipëri, shtohet gjuetia e paligjshme gjatë pandemisë


Gjuetia e paligjshme shënoi rekorde të reja në Shqipëri gjatë pandemisë. Importi i armëve të gjahut dhe fishekëve u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2020, ndërsa gjuetia e paligjshme e shpendëve dhe kafshëve të egra nuk kurseu as speciet pjesë të listës së kuqe. Të dhënat e mbledhura nga rrjeti i gazetarisë investigative BIRN nga organet ligjzbatuese, intervistat me aktivistë mjedisorë dhe vëzhgime në terren në zona të ndryshme të vendit, sugjerojnë se megjithë moratoriumin, vrasja e paligjshme e faunës së egër në Shqipëri vazhdon e pashqetësuar dhe mund të ketë arritur pikun e saj gjatë periudhës së pandemisë. Materiali është përgatitur nga gazetari i rrjetit të gazetarisë investigative BIRN, Geri Emiri.

Shqipëri, shtohet gjuetia e paligjshme gjatë pandemisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:35 0:00

Në zonën ligatinore pranë fshatit Rinia - 12 kilometra në veri të qytetit të Durrësit, gjuetarët shfaqen në muzg dhe fshihen në fushejëza të ndërtuara mbi cektinë.

Fushejëzat janë platforma të kamuflura të thjeshta të ndërtuara mbi kolona druri, në të cilat gjuetarët fshihen dhe i bëjnë pritë shpendëve të egër. Ato përdoren gjatë ditës dhe natës për t'u fshehur nga gjahu dhe për tu mbrojtur nga era, duke e bërë vrasjen e presë më të lehtë dhe numrin e shpendëve të vrarë më të lartë.

Në momentin e muzgut shpendët nisin e kullosin, rosat më së shumti nisin aktivitetin e tyre natën për tu ushqyer dhe në këtë moment kur ato kanë lëvizjet më aktive gjuhen nga gjuetarët e paligjshëm”, shpjegon Zydjon Vorpsi, ekspert pranë Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Çdo vit qindra mijëra zogj shtegtarë fluturojnë nga Afrika drejt deltës së Danubit përmes Ballkanit, në të ashtuquajturin vendkalimi i Adriatikut. Përpara se të kalojnë Alpet ato pushojnë dhe ushqehen në zonat e pasura ligatinore të Ultësirës Perendimore, ku ndalojnë gjithashtu në kthim përpara se të fluturojnë mbi Detin Mesdhe.

Laguna e Sektorit Rinia konsiderohet nga aktivistët mjedisorë si një zonë e nxehtë për vrasjen e paligjshme të shpendëve. Edhe pse gjuetia ndalohet me ligj në Shqipëri, gjatë një inspektimi të përbashkët me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policisë së Shtetit, të shtunën e parë të dhjetorit 2020, ekspertët e PPNEA-s identifikuan dhe shkatërruan 11 fushejëza të ngritura mbi lagunë.

Sipas Ministrisë së Mjedisit moratoriumi i vendosur në vitin 2014 mbi gjuetinë ka qenë një histori suksesi, megjithatë ekspertët mbeten skeptikë ndërsa theksojnë se në Shqipëri mungojnë studimet që përfshijnë të gjitha llojet e shpendëve dhe kafshëve të egra. Ndërkohë, shoqatat e gjuetarëve ankohen se moratoriumi nuk i ka ndaluar gjahtarët e paligjshëm ose brakonierët, duke sjellë një përkeqësim të situatës për faunën e egër.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nga organet ligjzbatuese, intervistat me aktivistë mjedisorë dhe vëzhgime në terren në zona të ndryshme të vendit, sugjerojnë se megjithë moratoriumin vrasja e paligjshme e faunës së egër në Shqipëri vazhdon e pashqetësuar dhe mund të ketë arritur pikun e saj gjatë periudhës së pandemisë, në tremujorin e dytë të 2020-ës – vit kur importi i fishekëve për armët e gjahut regjistroi rekord.

Ky aktivitet kriminal shpesh nuk kursen dhe specie që rrezikojnë të zhduken dhe mbrohen me ligj përmes Listës së Kuqe.

Gjuetarët e paligjshëm unë do i krahasoja me vrasësit serialë sepse janë persona aq problematikë, që shkojnë më tepër për të ndjerë gjakun kur vrasin se sa për të gjuajtur një kafshë apo një shpend”, thotë Olsion Lama, ekspert pranë PPNEA-s.

Debati mbi moratoriumin

Moratoriumi për ndalimin e gjuetisë u miratua fillimisht në mars të vitit 2014 për 2 vite dhe në vitin 2016 u zgjat edhe me 5 vite të tjera. Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Zbatimi i moratoriumit dhe ndalimi i gjuetisë për një periudhë relativisht të qëndrueshme prej rreth 6 vitesh (deri më tani), ka rikthyer dhe përmirësuar tërësisht situatën për faunën e egër në vendin tonë”, tha Ministria e Turizmit dhe Mjedisidit në një përgjigje me shkrim për BIRN.

Për të mbështetur pohimin e saj ministria iu referua të dhënave të Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit, i cili realizohet me pjesëmarrjen e OJF-ve, ekspertëve të fushës dhe stafit të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM-ve) në 12 qarqet e vendit.

Nga të dhënat rezulton se në vitet 2017, 2018 dhe 2019, numri total i shpendëve të evidentuar ka qenë rreth 50% më i lartë në krahasim me vitin 2016”, tha Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Në janar të këtij viti, në gjithë ligatinat e vëzhguara u regjistruan rreth 151 mijë shpendë të ujit, që përfaqësonin 65 specie të ndryshme”, shtoi ajo.

Prognoza e Ministrisë nuk ndahet nga ekspertët e pavarur të mjedisit, të cilët theksojnë se në Shqipëri mungojnë studimet që përfshijnë të gjitha llojet e shpendëve dhe kafshëve të egra për të kuptuar se si ka lëvizur numri i popullatave dhe ngrenë shqetësimin për rrallimin e specieve që janë objekt gjuetie.

Kjo nuk është totalisht e besueshme, pasi kemi lloje shpendësh që janë objekt gjuetie por që nuk janë në fokus të censusit të shpendëve ujorë, si për shembull thëllëza e malit, pëllumbi i egër dhe turtulli”, shprehet Olsion Lama.

Sipas të dhënave të fundit që kemi mbledhur nga gjuetarët profesionistë dhe studiues të shpendëve, na rezulton se ka pasur një rënie të popullatës së thëllëzës së malit, megjithëse kemi qenë në moratorium”, shtoi ai.

Danjel Bica, kryetar i shoqatës Ekspertët e Rinj Mjedisorë në Dibër, shprehet se moratoriumi i gjuetisë nuk ka arritur t’i ndalë gjahtarët e paligjshëm.

Sipas informacioneve që unë kam ai (moratoriumi) deri diku ka ndikuar, por nuk mund të themi se ka ndonjë ndikim të madh në zonën e Bulqizës apo Dibrës, pasi ka shumë raste që njerëzit vazhdojnë vrasjen e derrit të egër, dhisë së egër, kaprollit, lepurit etj.”, tha ai.

Në zonë ka gjuetarë të paligjshëm ose edhe mund të jenë me leje sepse lejen e armës të gjahut ata e kanë, po nuk është se ndalen, domethënë si sport, si aktivitet akoma vazhdon”, shtoi ai.

Edhe përfaqësuesit e shoqatave të gjuetarëve profesionistë e vlerësojnë rolin e moratoriumit në vitet e para, por sipas tyre ai dështoi të ndihmonte faunën e egër sepse nuk u krijuan struktura efikase për zbatimin e tij.

Për hir të së vërtetës dy vitet e para të moratoriumit pati një lloj efekti, jo 100%”, pohon Themi Perri, presidenti i Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim, ku bëjnë pjesë shoqatat e gjuetisë në vend.

Pas dy vitesh, moratoriumi i gjuetisë edhe për katër vite ishte një marrëzi për ne komunitetin e gjuetarëve sepse nuk solli asgjë të re, por e përkeqësoi situatën”, shtoi ai.

Gjuetia e paligjshme

Sipas Olsion Lamës në Shqipëri ka dy lloje gjuetie, ajo që bëhet për shpendët dhe gjuetia që bëhet për gjitarët, pra kafshët e egra. Gjuetia për shpendët kryesisht fokusohet tek thëllëza e malit, thëllëza e fushës dhe disa lloje të tjera shpendësh, siç janë rosat në zonën bregdetare, nëpër laguna dhe ligatina.

Edhe pse nuk janë objekt gjuetie, disa lloje të ndryshme shpendësh si çafkat ose karabullaku, qëllohen nga disa gjahtarë për shënjestër. Lama thekson se gjithashtu ka dy lloj gjuetarësh, ato të ligjshëm, të cilët janë të organizuar në shoqata dhe i respektojnë rregullat e gjuetisë dhe gjahtarët e paligjshëm.

Gjuetari i ndershëm ndjek të gjitha rregullat dhe kujdeset për kafshën, nuk është se shkon vetëm për ta gjuajtur, por kujdeset për popullatën e kësaj kafshe sepse kështu siguron gjuetinë edhe për brezat që do të vijnë, pra nuk është se e zhduk popullatën e një lloji”, tha Lama.

Ndërsa kriminelët, që janë gjuetarët e pandershëm, jo vetëm që nuk kujdesen për popullatën, por gjuajnë edhe në sezon shumimi edhe jashtë sezoni kur nuk lejohet gjuetia, gjuajnë edhe gjatë moratoriumit lloje që nuk janë fare objekt gjuetie”, shtoi ai.

Sipas Policisë së Shtetit në vitin 2020 ka pasur 12 sinjalizime nga qytetarët për gjueti të paligjshme, ndërsa në 13 raste janë ndaluar në kushte flagrance persona të dyshuar me armë gjuetie.

Por anëtarët e shoqatave të gjuetisë dhe ekspertët ankohen se këto të dhëna janë vetëm maja e ajsbergut dhe gjuetia e paligjshme është e gjithëpërhapur.

Është shtuar [numri i gjuetarëve të paligjshëm] me të thënë 10-fish, sidomos këto dy vjet, në kohën e pandemisë tmerrësisht”, thotë Florin Torba, anëtar i Shoqatës së Gjuetarëve në Peshkopi.

Sipas Torbës shtimi i gjahtarëve të paligjshëm i ka bërë pyjet shqiptare të pasigurta.

Sidomos këto kohët që ka qenë pandemia është bërë tepër e vështirë dalja, qoftë edhe për qejf, jo për të stërvitur zagarët apo diçka e tillë”, tha ai.

Janë shtuar gjuetarët e paligjshëm edhe ke frikë me dal”, shtoi Torba.

Sipas Themi Perrit inidicje për gjuetinë e paligjshme janë edhe aksidentet me armë gjahu që janë regjistruar gjatë viteve të moratoriumit.

Përgjatë viteve të moratoriumit na janë bërë disa aksidente”, tha ai. “Presupozojmë se nuk është gjuajtur, por aq shumë duket se është gjuajtur sa kanë ndodhur disa vrasje”, shtoi Perri.

Tjetër dëshmi e tërthortë e gjuetisë së paligjshme në Shqipëri gjatë periudhës së moratoriumit janë dhe të dhënat e importit të armëve të gjahut dhe të fishekëve.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nëpërmjet ligit për të drejtën e informimit, nga vitin 2014 deri në vitin 2020 në Shqipëri janë importuar 3126 armë gjahu. Gjatë të njëjtës periudhë janë importuar 252.859 fishekë, nga të cilat piku ka arritur në vitin 2020, me 150.079 fishekë ose 59.3% e totalit.

Vetëm Drejtoria e Policisë së Shkodrës gjatë 6 viteve të fundit ka lëshuar 996 leje për mbajtjen e armëve të gjahut.

Dyqanet e armëve që shesin fishekë dhe aksesorë për gjueti nuk janë mbyllur për asnjë ditë dhe kanë shitur”, tha Themi Perri.

Nuk i kanë marrë për t’i shkrepur në dasmë, por i kanë marrë për gjueti”, shtoi ai.

Olsion Lama thekson se nga monitorimet e bëra në terren gjuetia e paligjshme nuk është ndalur gjatë periudhës së moratoriumit.

Personalisht e kam parë dhe vërtetuar në disa raste duke udhëtuar në disa zona të Shqipërisë për monitorimin e faunës së egër dhe jemi përballur disa herë me gjuetarë të paligjshëm që gjuanin gjatë periudhës së moratoriumit”, theksoi ai.

Rrëqebulli i balsamosur

Nga analizimi i postimeve në rrjetet sociale të gjuetarëve të paligjshëm në vitet 2014-2020 dhe sidomos përgjatë periudhës së pandemisë, pas muajit mars 2020 – kohë kur në Shqipëri u vendos dhe ora policore, BIRN zbuloi se ata gjuajnë një pjesë të madhe të kafshëve dhe shpendëve që janë të rrezikuara dhe mbrohen me ligj përmes Listës së Kuqe.

Kjo listë e krijuar në vitin 1964 nga Bashkësia Ndërkombëtare për Ruajtjen e Natyrës është renditja më e hollësishme në botë e gjendjes së ruajtjes së specieve biologjike, duke i radhitur ato sipas kategorive të rrezikshmërisë.

Postimet në rrjetet sociale tregojnë se specie të rrezikuara, si ariu i murrmë, derri i egër, kaprolli, dhia e egër apo shpendë, si shapka e madhe e ujit, gjuhen masivisht dhe përfundojnë deri në menytë e restoranteve që ofrojnë kafshë të egra, të cilët sipas ekspertëve janë të përhapur në të gjithë Shqipërinë.

Kemi informacion që dhinë e egër po e gjuajnë sidomos në zonat malore ku ajo ka habitatin e vet dhe na rezulton se ajo po tkurret në popullatë”, tha Olsion Lama.

Shumë prej kafshëve dhe shpendëve që vriten nga gjahtarët e paligjshëm balsamosen dhe ekspozohen si trofe gjuetie.

Në mars 2020, aktivistët e PPNEA-s dhanë alarmin pasi zbuluan tre individë të Rrëqebullit të Ballkanit të vrarë dhe të balsamosur në një restorant pranë qytetit të Elbasanit - i cili reklamon dhe servir mish të kafshëve dhe shpendëve të egër.

Ato përbëjnë 30% të popullatës së Rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri dhe gjenden në një vend të balsamosur”, u ankua Lama.

PPNEA e referoi rastin në Prokurorinë e Tiranës dhe kjo e fundit e delegoi për juridiksion në Prokurorinë e Elbasanit. Prokuroria e Elbasanit i tha BIRN se ka regjistruar një procedim penal për veprën penale të “Dëmtimit të specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër’’ dhe “Tregtimit të specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër’’, por nuk ka akoma persona nën hetim.

Olsian Lama ankohet se Prokuroria e Elbasanit nuk po tregon vullnetin e duhur për ta hetuar çështjen.

Nga momenti që e kemi dërguar në prokurori nuk ka ndodhur as edhe një lloj veprimi për rastin dhe për fenomenin nuk është marrë as edhe një lloj mase”, tha ai.

Nga të dhënat e analizuara nga policia, prokuroria dhe gjykata, BIRN zbuloi se pjesa më e madhe e rasteve të referuara që lidhen me gjuetinë janë për armëmbajtjen pa leje të armëve të gjuetisë.

Vetëm në rrethet gjyqësore të Durrësit dhe Shkodrës, policia ka referuar në prokurori 150 raste nga viti 2014 deri në vitin 2020, nga të cilat janë regjistruar 64 procedime penale dhe ndër to 35 janë dërguar për gjykim. Vetëm 16 raste të dërguara për gjykim kanë marrë një vendim gjyqësor.

Të parët gjuajnë prokurorët, gjykatësit, policët, ata që kanë para”, tha Themi Perri, ndërsa u ankua se gjuetari i "ndershëm’ është penalizuar nga moratoriumi.

Megjithatë, ka edhe komunitete në Shqipëri që janë vetëorganizuar për t’i bërë ballë gjuetarëve të paligjshëm.

Në Njësinë Administrative Shishtavec në Kukës, prej katër vjetësh banorët vendas në bashkëpunim me shoqatën Përdoruesit e Pyjeve dhe Kullotave Komunale nuk e lejojnë gjuetinë e paligjshme.

Ka 3-4 vjet këtu në zonën tonë të Shishtavecit që nuk ka gjueti të paligjshme, për arsye se ne si shoqatë në bashkëpunim me pleqësitë e fshatrave nuk i lejojmë të gjuajnë kafshët e egra”, tha Agim Noka, kryetari i shoqatës.

Jemi pa ndalim në 14 fshatra të kësaj zonë që i monitorojmë dhe nuk i lejojmë për të gjuajtur”, tha ai.

Edhe në fshatin Radomirë në njësinë administrative Kalaja e Dodës në Dibër, banorët vendas i kanë marrë frenat në duart e tyre për t’iu kundërvënë brakonazhit. Madje banorët e fshatit kontribujonë financiarisht për një roje që ruan pyllin dhe monitoron për gjahtarë të paligjshëm.

Ne jo e jo, por edhe të tjerët nga Peshkopia që duan të vijnë të gjuajnë, sa ta marrin vesh që këtu është e ndaluar gjuetia edhe ata nuk futen fare”, tha Haxhi Hima, banor i fshatit dhe sipërmarrës në sektorin e turizmit. “Është haram për ta vrarë një kafshë të egër”, theksoi ai.

“Spitali i shpendëve”

Edhe shqiponja, shpendi simbol kombëtar i shqiptarëve nuk i ka shpëtuar gjuetisë së paligjshme. Në 16 shkurt rojet e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Berat gjetën një individ të ri të Shqiponjës së Artë në afërsi të Parkut Kombëtar të Tomorit, në kushte të dobëta shëndetësore dhe të paaftë për të fluturuar.

Ato vendosën ta transferonin menjëherë shqiponjën në Qendrën e Rekuperimit te Shpendëve të Egër në Divjakë.

Dyshimin tonë e konfirmoi grafia, kishim një trup të mbushur me saçme dhe kishim edhe një frakturë në krah”, kujtoi Ardian Koçi, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Fier. “Filluam mjekimin menjëherë me antibiotik, i imobilizuam krahun dhe vazhduam ushqimin”, shtoi ai.

Koçi tregon se që kur qendra hapi dyert një vit më parë ajo ka mirëpritur 18 shpendë që kanë pasur nevojë për vëmendjen e veterinerit.

Shpendët që trajtohen në këtë qendër unike për vendin nuk janë vetëm nga Shqipëria. Koçi përmend rastin e një lejleku që ka ardhur nga Prizreni i plagosur gjithashtu me saçme nga gjuetia, por edhe një shkabë që është transferuar nga Kroacia.

Shkaba nuk kishte shenja gjuetie por ishte e paushqyer dhe dyshohet se mund të kishte ngrënë kafshë të tjera, të cilat mund të ishin gjuajtur dhe ishte helmuar nga plumbi.

Ndodh shpesh ky helmimi me plumb, sidomos tek shpendët që ushqehen me kërma, siç është rasti i shkabës”, shpjegoi Ardian Koçi. “Gjatë ngrënies së mishit marrin edhe doza të plumbit që avash-avash fillojnë edhe akumulohen, duke dhënë dëmtime të ndryshme në nerva, në epitele, në përgjithësi në sistemin nervor të shpendit”, shtoi ai.

Teksa shqiponja sot fluturon e lirë pas trajtimit mjekësor në Qendrën e Rikuperimit të Shpendëve të Egër Divjakë, Koçi thekson se ky shpend është qëlluar nga individë të papërgjegjshëm ose për arsye brakonazhi për t'u balsamosur.

Kur Arsen Llambro mori me qira së bashku më të fejuarën e tij restorantin ‘Taverna e Miqësisë’, në fshatin Nartë të Vlorës disa vite më parë, muret ishin të dekoruara me shpendë dhe kafshë të balsamosura të lagunës Vjosë-Nartë, përfshirë pelikanin, flamingon, një dhelpër, nuselalë dhe një shqiponjë.

Sipas Llambros kafshët e balsamosura kanë qenë një formë e vjetër e marketingut e bizneseve të kulinarisë në zonën e Nartës, por kësaj forme reklame i ka ikur koha.

“Pjesa më e madhe e përshtypjeve (të klientëve) ishin negative, nuk ishin pozitive sepse edhe kafshët e balsamosura duan një përkujdesje tepër të madhe dhe nuk është higjienike që në një restorant të mbash kafshë të balsamosura, për shkak se përmbajnë parazitë të mëdhenj”, tregoi Arseni.

Për këtë arsye ai i është bashkuar një nisme të PPNEA-s për t’i zëvendësuar kafshët dhe shpendët e balsamosura me piktura. Arseni gjithashtu i bën thirrje të gjithë restoranteve të zonës të ndërmarrin të njëjtin veprim.

Ne jemi një shtet që pjesa më e madhe e industrisë është industria e turizmit edhe mendoj se kjo pjesë e mbajtjes së kafshëve të balsamosura nuk është se do të sjelli shumë turistë, kjo do t’i largojë turistët, prandaj edhe duhet t’i bashkohen kësaj nisme”, tha Arseni.

Pjesa e rëndësishme është natyra dhe ne nga kjo natyrë duhet të përfitojmë, por ne nuk mund të përfitojmë duke i balsamosur kafshët dhe duke i mbajtur në ambientet e lokalit”, përfundoi ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG