Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se të gjithë amerikanët që akuzohen për mbështetje ndaj militantëve të Shtetit Islamik dhe që mbaheshin në Siri janë kthyer, ndërkohë që disa prej tyre përballen me akuza penale.
Në një deklaratë, Departamenti amerikan i Drejtësisë i bëri gjithashtu thirrje vendeve të Evropës të rimarrin qytetarët e tyre që mbështesin grupin militant.
Zyrtarët thanë se dy persona në SHBA që akuzohen si mbështetës të Shtetit Islamik, dolën përpara gjykatës në Florida të mërkurën.
Kjo e çon numrin e përgjithshëm të shtetasve amerikanë të rikthyer nga arresti në Siri dhe Irak në 27. Mes tyre 10 përballen me akuza, thuhet në deklaratë.
Dy amerikanë të tjerë që përballen me akuza të ngjashme dolën përpara gjykatës në shtetet Minesota dhe Uashington më 16 shtator, tha Departamenti i Drejtësisë.
"Shtetet e Bashkuara kanë kthyer në vend çdo mbështetës amerikan të ISIS-it, ndaj të cilëve ne kemi ngritur akuza dhe që mbaheshin nga Forcat Demokratike Siriane", tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare, John Demers.
Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga Kurdët në Sirinë verilindore mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.
Departamenti i Drejtësisë gjithashtu u bëri thirrje vendeve të tjera, veçanërisht atyre në Evropën Perëndimore, për të vepruar dhe tha se do t'i ndihmonte ato të marrin "përgjegjësinë për qytetarët e tyre që u larguan për të marrë armët në mbështetje të sundimit të urrejtjes dhe intolerancës së ISIS-it".
Evropianët përbëjnë rreth një të pestën e 10,000 luftëtarëve të ISIS-it të mbajtur nga milicitë kurde në Siri, por shumë vende evropiane ngurrojnë t’i riatdhesojnë ata nga frika e reagimit publik.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Shteti Islamik po evoluon nga një grup militant që synon të mbajë territor në Lindjen e Mesme në një rrjet global që shpreson të frymëzojë ideologjinë dhe sulmet ekstremiste diku tjetër.
Facebook Forum