Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje për qetësi të gjitha palëve në Hong Kong, ndërkohë që protestat morën një kthesë të dhunshme ditët e fundit dhe zyrtarët e SHBA vërejtën shenja zbutjeje midis qeverisë së Hong Kongut dhe demonstruesve pro-demokracisë.
Të shtunën, policia e Hong Kongut përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestat antiqeveritare, pasi protestuesit hodhën bomba benzine dhe tulla.
"Ne nuk mund të qëndrojmë indiferencë dhe të shohim dhunë të mëtejshme," i tha të martën Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
"Nuk duhet të ketë më dhunë nga të dy palët," as nga policia dhe as nga protestuesit, tha zyrtari. "Sigurisht, nuk mund të ketë një kundërpërgjigje në shkallë të gjerë përmes dhunës," tha ai.
Pas disa javësh protestash pro-demokracisë në Hong Kong, trazirat nuk duket se po ndalen. Por zyrtari amerikan tha se sheh disa shenja inkurajuese.
"Ne kemi parë që (Shefja Ekzekutive e Hong Kongut) Carrie Lam mundi të zhvillojë bisedime për të diskutuar pesë kërkesa të protestuesve. Duket se ajo po përpiqet t’u japë zgjidhje dy prej tyre. Po fillojmë të shohim disa zbutje nga të dyja palët, dhe shpresa jonë është që e gjitha kjo të zgjidhet në mënyrë paqësore," tha zyrtari. "Duhet të bëhen disa akomodime."
Një Tetori shënon 70 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
Ndërsa qeveria e Pekinit po e shënon këtë datë me rëndësi në kalendarin politik, zyrtari i lartë i administratës amerikane thotë se Uashingtoni shpreson që udhëheqësit kinezë "të mund ta zgjidhin çështjet në një mënyrë të tillë që të mbahen parasysh interesat dhe shqetësimet e popullit në Hong Kong të cilët janë mësuar me një proces demokratik, janë mësuar që zëri i tyre të dëgjohet”.
Në Pekin, Kina shprehu "pakënaqësi të fortë" të martën ndaj një deklarate të përbashkët të udhëheqësve të G-7s ku bëhej thirrje për respektimin e autonomisë së Hong Kongut në përputhje me dokumentet e dorëzimit nga Britania të kontrollit të këtij territori.
Drejtuesit e vendeve të industrializuara në samitin e tyre bënë thirrje për qetësi pas 12 javë protestash pro-demokracisë në Hong Kong, por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang i akuzoi ata për "ndërhyrje" dhe “qëllime të liga".
Në një konferencë shtypi në Pekin, zoti Geng tha: "Ne shprehim pakënaqësinë tonë të fortë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj deklaratës së bërë nga udhëheqësit në samitin e G-7s për çështjet e Hong Kongut".
Ai shtoi, "Ne kemi theksuar vazhdimisht se punët e Hong Kongut janë thjesht punë të brendshme të Kinës dhe se asnjë qeveri, organizatë apo individ i huaj nuk ka të drejtë të ndërhyjë".
Deklarata kineze erdhi ndërsa zonja Lam përsëriti qëndrimin e saj të ashpër ndaj protestuesve, madje edhe gjatë takimit me një grup të rinjsh të hënën në lidhje me demonstratat, siç tha ajo. Është e paqartë nëse në këtë grup kishte protestues që kërkonin reforma për t'iu përmbajtur kornizës "një vend, dy sisteme" të sanksionuar në marrëveshjen e vitit 1984 për të ruajtur statusin gjysmëautonom të Hong Kongut.
Një studim i ri i publikuar nga Instituti i Kërkimeve të Opinionit Publik në Hong Kong tregon se popullariteti i zonjës Lam është rreth 25 për qind.
Demonstruesit kanë protestuar ndaj faktit që zonja Lam i ka shpërfillur kërkesat e tyre për tërheqjen e plotë të një projektligji ekstradimi që do të lejonte që të dyshuarit për krime të dërgoheshin në Kinë për gjykim. Një kërkesë e dytë ishte ajo për një hetim të pavarur lidhur me përdorimin e tepruar të forcës nga policia kundër protestuesve dhe një tjetër ajo për zgjedhje demokratike.
"Nuk është çështje mos përgjigjeje," tha zonja Lam. "Është çështje e mos pranimit të këtyre kërkesave."
Ajo shtoi, "Nëse dhuna vazhdon, e vetmja gjë që duhet të bëjmë është ta shuajmë atë dhunë përmes veprimeve për zbatimin e ligjit".
Zonja Lam tha se do të ishte e papërshtatshme për qeverinë të pranojë kërkesat e protestuesve që mbështeten te dhuna dhe provokimi.
Pas konferencës së saj për shtyp, mozaiku i Murit Lennon në Universitetin e Hong Kongut, në përkujtim të Lëvizjes pro-demokratike Ombrella, u vandalizua.
Një student kritikoi thirrjen e zonjës Lam për dialog, duke i thënë Shërbimit Kinez të Zërit të Amerikës, "Ajo duhet të tregojë se është e sinqertë për të biseduar me shoqërinë, jo vetëm të ftojë të ashtuquajturit 'të rinj' për një diskutim me dyer të mbyllura. Dua të them, mbi çfarë baze ata të rinj që ajo zgjodhi ... përfaqësojnë protestuesit e Hong Kongut?"
Zonja Lam ka bërë pak komente publike për demonstratat.
Protestuesit kanë plan të vazhdojnë protestat, të cilat paraqesin kërcënimin më të madh për paqen deri tani në qendrën financiare aziatike pasi Britania i dorëzoi kontrollin e Hong Kongut Kinës në vitin 1997. Protestuesit thonë se ata demonstrojnë kundër asaj që e shohin si një gërryerje të të drejtave.
Policia arrestoi më shumë se 80 njerëz gjatë protestave të shtunën dhe të dielën ku pati përleshje me policinë.
Facebook Forum