Të enjten Shtetet e Bashkuara vendosën një seri sanksionesh ndaj Rusisë, përfshirë kufizimet në tregun e borxhit kombëtar, për ta ndëshkuar atë mbi ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA, praterinë kibernetike, presionin ndaj Ukrainës e veprime të tjera që dyshohet të jenë "keqdashëse".
Qeveria amerikane futi në listën e zezë disa kompani ruse, dëboi 10 diplomatë të këtij vendi dhe ndaloi bankat amerikane të blejnë bono nga Banka Qendrore ruse, Fondi Kombëtar i Pasurisë dhe ministria e Financave të Rusisë. Uashingtoni paralajmëroi gjithashtu Kremlinin mbi mundësinë e masave të tjera ndëshkimore megjithëse zyrtarët amerikanë thanë se nuk donin ta përshkallëzonin situatën.
Moska reagoi me zemërim, duke thënë se këto veprime po ngrenë në mënyrë të rrezikshme temperaturën mes dy vendeve. Rusia gjithashtu vuri në pikëpyetje një takim të mundshëm mes udhëheqësve të SHBA-së dhe Rusisë si dhe thirri ambasadorin amerikan në Moskë për një takim zyrtar.
Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, orkestrimin e një sulmi kibernetik duke përdorur kompaninë amerikane të teknologjisë SolarWinds Corp për të depërtuar në rrjetet e qeverisë amerikane si dhe përdorimin e një agjenti nervor për të helmuar kritikun e Kremlinit, Alexei Navalny.
Presidenti Joe Biden zhvilloi të martën një bisedë me Presidentin rus Vladimir Putin për të ngritur shqetësime në lidhje me këto çështje si dhe rritjen e numrit të trupave ruse në Krime dhe përgjatë kufirit me Ukrainën. Zoti Biden propozoi dhe zhvillimin e një takimi me zotin Putin.
Të enjten Shtëpia e Bardhë tha se ftesa e Presidentit Joe Biden drejtuar Presidentit rus Vladimir Putin për një samit në një vend të tretë qëndron ende.
"Ftesa mbetet e hapur", tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se një samit do të ishte një hap i mirë përpara drejt "zhvillimit të një marrëdhënie të qëndrueshme e të parashikueshme", mes dy vendeve.
Presidenti Biden po përpiqet të vendosë një ekuilibër duke kërkuar të parandalojë atë që Uashingtoni e sheh si sjellje armiqësore të Rusisë dhe shmangien nga ana tjetër të përkeqësimit më të thellë të marrëdhënieve mes dy vende, duke ruajtur një hapësirë për bashkëpunim.
"Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një marrëdhënie me Rusinë të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Ne nuk mendojmë se duhet të vazhdojmë në një trajektore negative", tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
"Sidoqoftë, ne gjithashtu kemi qenë të qartë publikisht dhe privatisht se do të mbrojmë interesat tona kombëtare dhe se veprimet që kërkojnë të na dëmtojnë do të kenë kosto për qeverinë ruse”, thuhej në deklaratë.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi në listën e zezë 32 subjekte dhe individë, për të cilët tha se ishin përfshirë në përpjekje të drejtuara nga qeveria ruse, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020 si dhe "akte të tjera dezinformimi dhe ndërhyrjeje".
Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Britaninë, Australinë dhe Kanadanë, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi gjithashtu sanksione ndaj tetë individëve lidhur me pushtimin dhe shtypjen e vazhdueshme që Rusia po i bën Krimesë, territor i Ukrainës pushtuar në vitin 2014.
Facebook Forum