Presidenti Trump fajësoi Presidentin rus Vladimir Putin dhe Iranin për "sulmin e palogjikshëm kimik" në Siri që la 40 të vrarë, duke u betuar se "do të paguhet çmim" për këtë akt.
Në një akt të rrallë kritikash të forta në adresë të udhëheqësit rus, presidenti amerikan deklaroi "Presidenti Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjës" për mbështetjen që i japin "kafshës Asad," president i Sirisë.
Përmes postimeve në Twitter, presidenti amerikan tha "Hapni menjëherë zonën për personelin mjekësor dhe verifikues. Një tjetër katastrofë humanitare pa asnjë lloj arsyeje. E neveritshme".
Presidenti nuk tha se si do të përgjigjet Amerika. Por këshilltari për sigurinë kombëtare Thomas Bossert tha për rrjetin ABC News, “Asnjë opsion nuk mund të përjashtohet," duke lënë hapur mundësinë për goditje me raketë si goditja që urdhëroi Presidenti Trump një vit më parë pas sulmit sirian me armë kimike.
Më herët të dielën, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha përmes një deklarate se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje njoftimet shqetësuese se ka pasur një tjetër sulm me armë kimike në Siri, këtë radhë në një spital në Douma.
Deklarata tha se “Me mbështetjen e saj të palëkundur për regjimin sirian, Rusisë i bie përgjegjësia për këto sulme brutale që kanë në shenjestër civilë të panumërt dhe që po mbysin komunitetet më të pambrojtura siriane me armë kimike”.
Kryengritësit thonë se forcat qeveritare hodhën bomba me kimikate helmuese dje, duke vrarë dhjetëra vetë ndërkohë që Siria vazhdon ofensivën kundër qytetit të fundit të kontrolluar nga opozita në Gutan lindore.
Media shtetërore siriane i hodhi poshtë pretendimet e kryengritësve, ndërkohë që ushtria ndërmori sulme kundër Doumas që ndodhet pranë kryeqytetit.
Sipas organizatës Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, një bombë me gaz klorin goditi spitalin në Douma, megjithëse drejtori i organizatës tha se nuk mund të konfirmonte përdorimin e armëve kimike.
Facebook Forum