Lidhje

SHBA: Debat tjetër në Arizona i 4 pretendentëve për emërimin e Partisë Republikane


SHBA: Debat tjetër në Arizona i 4 pretendentëve për emërimin e Partisë Republikane
SHBA: Debat tjetër në Arizona i 4 pretendentëve për emërimin e Partisë Republikane

Katër kandidatët për emërimin e Partisë Republikane u përballën me njeri tjetrit për herë të parë mbrëmë që nga muaji janar në një debat të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni në gjithë vendin.

Debati në Arizona mbrëmë zhvillohet në një fazë të rëndësishme të emërimit të kandidatit, kur ish senatori i Pensilvanisë, Rik Santorum, dhe ish guvernatori i shtetit Mesaçusets, Mit Romni, janë në një garë të ngushtë për vendin e parë.

Të dy kandidatët kryesorë u përplasën me njeri tjetrin lidhur me veprimet e tyre për shpenzimet qeveritare. Romni tha se Santorum kishte votuar pesë herë për ngritjet e nivelit të borxhit amerikan, çështje të cilën e ka përsëritur vazhdimisht gjatë fushatës.

Santorum u përgjegj se Romni kishte mbështetur ngritjen e nivelit të borxhit verën e kaluar dhe ishte në favor të ngritjet së taksave për një përqindëshin me të ardhurat më të larta të popullatës në Shtetet e Bashkuara, gjë që Romni i mohoi.

Kongresisti nga Teksasi, Ron Pol iu bashkua sulmit, duke thënë se Santorum ishte një konservator “fallso”, i cili thotë një gjë gjatë fushatës dhe praktikon diçka tjetër pasi zgjidhet, madje më vonë zotohet të anullojë programe të cilat ka mbështetur.

Sulmet ndaj praktikës së ish senatorit Santorum tregojnë shtimin e rëndësisë së tij në garën e emërimit. Sipas rezultateve të një sondashi të Universitetit Kuinipak, të publikuara dje, Santorum është në krye me 9 përqind më shumë se sa Romni.

Nga ana tjetër, sondazhet tregojnë se Santorum do të humbiste ndaj Presidentit demokrat Barak Obama në zgjedhjet e përgjithëshme, ndërsa gara Obama-Romni do të ishte shumë e ngushtë.

Analistët politikë thonë se debati i mbrëmshëm, ku morën pjesë edhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Njut Gingriç dhe kongresisti nga Teksasi, Ron Pol, mund t’u kenë bërë një përshtypje të madhe votuesve në Arizona dhe Miçigan, shtetet që mbajnë zgjedhjet paraprake javën e ardhëshme.

Më 6 mars, votuesit në 10 shtete shkojnë në votime për të zgjedhur kandidatin që do të ballafaqohet me Presidentin Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Kjo ditë quhet në Shtetet e Bashkuara “super e marta”.



XS
SM
MD
LG