Lidhje

SHBA, Në mes të protestave, shfaqen fushata dizinformimi


Ndërkohë që vazhdojnë protestat në Shtetet e Bashkuara, ekspertët thonë se kanë vërejtur një shtim të fushatave për përhapjen e dizinformimit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariia Prus, ndër ndër synimet ka qenë minimi i frymës sociale duke i bërë njerëzit të mendojnë se realiteti nuk mund të shihet me objektivitet.

Mariam Gagoshashvili nga Gjeorgjia, thotë se kur diskuton me shokët për protestat mbi vdekjen e George Floyd, vëren se ata përqëndrohen tek trazirat e vandalizmi, në vend që të flasin për shkaqet që çuan në këto demonstrata.

Në përgjigje të problemit, ajo krijoi një grup në Facebook për immigrantë nga Euroazia, ku të diskutohen problemet sociale e racore:

Ne vijmë nga një rajon që ka vuajtur kolonalizmin, shtypjen etnike, brutalitetin policor, qeveri autoritare. Por, në atë rajon nuk kemi ndeshur diskriminim racor apo shenjestrim për arsye të racës. Nuk e kemi provuar atë që kanë ndjerë afrikano-amerikanët prej shekujsh, përfshirë skllavërinë, ekzekutimet jashtë-gjyqësore, vrasjet, rrahjet nga policia, e cila më pas nuk mbahet përgjegjëse,” thotë Mariami.

Këto probleme racore e sociale janë bërë tema të fushatave të dizinformimit në median sociale. Synimi është të nxiten paragjykimet racore përmes sajesave e manipulimeve.

Për shembull në Twitter grupi #DCblackout pretendoi pa baza reale se policia kishte bllokuar sinjalin celular në Uashington gjatë protestave në kryeqytet për të penguar gazetarët që raportonin. Alex Engler është me Institutin Brookings:

Fushata që përhapi lajmin se ishte bllokuar sinjali gjatë protestave në Uashington si dhe shfaqje të tjera propagandistike na kujtojnë ndërhyrjet e vendeve të tjera me dizinformim me qëllimin për të krijuar divergjenca e për të thelluar polarizimin për këto tema”, thotë ai.

Gazeta Washington Post njoftoi se pretendimi i sajuar se ishte bllokuar sinjali i celularëve doli nga disa pjesëtarë të këtij grupi por u përhap me shpejtësi duke u përcjellë nga llogari fantazmë. Synimi është që njerëzit të çorientohen dhe të mos jenë në gjendje të dallojnë të vërtetën nga sajesat, thotë Patrick Warren i Universitetit Clemson.

Synimi është të minohet kohezioni social që njerëzit ta kenë të pamundur të dallojnë të vërtetën objektive. Në 2016, vërejtëm llogari të medias sociale me mesazhe nga të dyja skajet e spektrit politik, të dyja palët po sulmonin median, njëra nga e majta, tjetra nga e djathta”.

Zoti Warren thotë se dizinformimi mund të bëhet më i rrezikshëm kur ka në qendër tema si vaksinimi kundër koronavirusit:

Cilat janë ritmet e përhapjes së koronavirusit? Nuk e di. Askush nuk e di. Shifra varet nga shumë faktorë. Kjo paqartësi lë shteg për dizinformim”.

Ekspertët thonë se platformat e medias sociale po bëhen më të afta për të diktuar dhe bllokuar postimet e sajuara apo të gjeneruara nga kompiuter. Por problemi nuk është zhdukur.

Ata që po protestonin në Uashington ishin të ndezur, të revoltuar nga veprimet e policëve. Këta individë kanë më të ngjarë të mbajnë një qëndrim më kritik ndaj veprimeve të autoriteteve. Pra ata janë më të hapur të besojnë dizinformata se qeveria mund të bëjë diçka aq ekstreme sa që të bllokojë komunikimet në mënyrë që më pas të bëjë veprime keqdashëse,”’ thotë studiuesi Engler.

Të dy ekspertët pohojnë se është e pamundur të bllokohet plotësisht dizinformimi, por është e nevojshme që të menaxhohet përhapja e këtyre dizinformatave.

Ata këshillojnë përdoruesit e platformave të informimit të mos hidhen në përfundime të shpejtuara dhe të jenë të vetëdijshëm për paragjykimet që kanë ata vetë në mënyrë që të mos manipulohen lehtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG