Demokratët e Kongresit kërkuan të martën publikimin e raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, duke thënë se publiku amerikan meriton të dijë hollësitë e hetimit, i cili nuk gjeti asnjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës Trump dhe Rusisë në zgjedhjet e 2016s.
Publikimi i raportit të plotë mund të ndihmojë që t’i jepet përgjigje pyetjes se përse zoti Mueller në raportin e tij nuk përjashton mundësinë e një akuze për pengim të drejtësisë kundër kundër Presidentit Trump.
Rezultatet e raportit të zotit Mueller tashmë dihen - por vetëm të përmbledhura. Prokurori i Përgjithshëm Barr duhet të veprojë me kujdes përpara se ta publikojë atë të plotë, thanë republikanët.
"Inkriminimi i njerëzve të pafajshëm apo bërja publike e dokumenteve të klasifikuara nuk më duket ide e mirë. Kam besim se prokurori i përgjithshëm do ta mbajë parasysh këtë,” thotë Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës në Senat.
Por pa patur raportin e plotë, demokratët thonë se është e pamundur të merret një vendim i informuar.
"Nuk kam nevojë për interpretimin e raportit nga Prokurori i Përgjithshëm Barr. Unë kërkoj raportin. Kërkesa jonë kryesore për këtë çështje është thjesht transparenca, të publikohet raporti dhe pastaj të nxirren përfundime", thotë Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat.
Kryetarët e gjashtë komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, kërkuan zyrtarisht nga zoti Barr që të dorëzojë raportin deri më 2 prill. Nëse ai nuk e bën, një ligjvënëse aludoi kështu për hapat e ardhshëm.
"Si komision, ne kemi kompetencë të kërkojmë dorëzimin e dokumentit. Sinqerisht, nuk shoh asgjë në rregulloret për Prokurorin e Posaçëm që ta ndalojë kreun e Departamentit të Drejtësisë të publikojë raportin", thotë Sheila Jackson Lee, ligjvënëse demokrate.
Raporti i zotit Mueller u prit mirë nga Presidenti Trump, i cili tha se kjo i jep fund debatit të ngritur nga disa demokratë për mundësinë e nisjes së një procesi për shkarkimin e presidentit.
Presidenti i SHBA, Donald Trump
"Nuk më duket se po e përmendin më temën e shkarkimit. Ne kemi ekonominë më të madhe që kemi pasur ndonjëherë, vendi është në formë të shkëlqyer. Ata dhe të tjerët krijuan një mashtrim në vendin tonë me këtë gjueti qesharake shtrigash ku u provua fuqishëm se nuk ka patur asnjë bashkëpunim, asnjë pengim, asgjë,” thotë Presidenti Trump.
Demokratët thonë se raporti i plotë mund të ndihmojë në zgjidhjen e pikëpyetjeve të mbetura lidhur me vendimin e zotit Mueller për të mos e nxjerrë plotësisht pa faj Presidentin Trump në çështjen e pengimit të drejtësisë, madje edhe tani që ata po përpiqen të fokusohen te politika e përditshme.
Hakeem Jeffries, demokrat
"Demokratët janë përqëndruar te çështjet e përditshmërisë, te ulja e kostos së kujdesit shëndetësor apo te rritja e pagës për amerikanët e thjeshtë", thotë demokrati Hakeem Jeffries.
Por ata vazhdojnë megjithatë hetimet e tyre për aktivitetet e tjera të Presidentit Trump, siç janë deklarimet e tij tatimore dhe marrëdhëniet e biznesit me të huajt.
Facebook Forum