Lidhje

Kosovë, drejtësia përballet me sfida të shumta


Kosovë, drejtësia përballet me sfida të shumta
Kosovë, drejtësia përballet me sfida të shumta

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell ka tërhequr vërejtjen se Kosova vuan nga një sistem i dobët ligjor. Komentet e tij janë bërë në një shkrim me rastin e ditës së drejtësisë në Kosovë. Në një tubim me rastin e kësaj ditë u tha se sistemi i drejtësisë ka ende shumë punë për të bërë për tejkalimin e sfidave që ndodhen para tij. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se drejtësia ndodhet para sfidës së reformave rrënjësore. Kosova tha ai, duhet të jetë shtet i së drejtës.

“Kosovës, më shumë se kurrë i duhet një drejtësi kredibile, e pastër moralisht, profesionalisht dhe efektive. Ajo duhet të përbëj hallkën kryesore të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të çdo natyre. Këtë luftë ajo duhet ta nisë nga radhët e veta për t'i mbrojtur organet e drejtësisë nga dukuritë negative dhe kriminale”, tha zoti Krasniqi.

Muharrem Shala, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se sistemi përballet ende me shumë vështirësi përfshirë edhe trashëgimin e lëndëve të pazgjidhura.

“Statistikat e fundit thonë se ka mbi 200 mijë lëndë të pakryera, por, që nuk do të thotë që të gjitha janë të vjetra. Vetëm gjysma e këtij fondi të lëndëve të pakryera janë lëndë të vjetra”, tha zoti Shala.

Bernard Rabatel nga EULEX-I tha se ky mision është I përkushtuar për përmirësimin e sistemit të drejtësisë duke mbështetur institucionet e vendit.

“Sidoqoftë, disa sfida të rëndësishme mbeten për t’u zgjidhur siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar në të gjitha nivelet, garantimi i pavarësisë së prokurorëve dhe gjykatësve dhe ndërtimi i një sistemi shumetnik e të paanshëm të bazuar në parimet e qëndrueshme të sundimit të ligjit”, tha ai.

Patricia Rader nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtar u bëri jehonë vlerësimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë Christopher Dell se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Ajo përsëriti përkushtimin e qeverisë amerikane për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“E di që kjo nuk është një punë e lehtë, por jam këtu për t;ju siguruar se Kosova nuk është e vetme në përpjekjet e saj për të përmirësuar drejtësinë”, tha ajo.

Këtë përkushtim e ka shprehur edhe ambasadori Dell në një shkrim autorial në të cilin nënvizon se sistemi i dobët ligjor do të thotë që demokracia e re e Kosovës është e dobët dhe që ajo të mbijetojë, ka ardhur koha që ta hiqet vëmendja nga cikli i pafund i zgjedhjeve dhe që vendi të merret me sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe rritjen ekonomike. Që përparimi të arrihet duhet një qeveri e përqendruar, e ndershme, e frytshme, që respekton ligjin, e cila do të përqendrohet në rritjen ekonomike dhe në sundimin e ligjit gjatë katër viteve të ardhshme. Në një qeveri të tillë nuk ka fare vend për individë që besojnë se janë mbi ligjin ose për të cilët ka dyshime zyrtare se kanë shkelur ligjin.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG