Lidhje

Seul, debat mbi pagat universale nga buxheti


Një pamje nga larg e kryeqytetit të Koresë së Jugut, Seul
Një pamje nga larg e kryeqytetit të Koresë së Jugut, Seul

Ideja e një page themelore universale, ku çdo qytetar do të merrte një shumë të rregullt parash nga qeveria, është konsideruar prej kohësh si një ide e kufizuar ose radikale në Korenë e Jugut. Siç njofton korrespondenti i Zëri i Amerikës në Seul, Bill Gallo, pandemia e koronavirusit tani mund ta ndryshojë mendimin e publikut për këtë çështje.

Seul, debat mbi pagat universale nga buxheti
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Lee Geon-hyung është shembull tipik i problemit të madh me ekonominë e Koresë së Jugut, ku thjesht nuk ka punë të mjaftueshme për të rinjtë.

Gati 30 për qind e të rinjve si Lee janë të papunë ose të punësuar me orar të kufizuar.

“Ka vende pune vetëm me orar të pjesshëm në këtë treg pune. Puna ime thjesht nuk më siguronte të ardhura të mjaftueshme. Pas arritjes së një moshe të caktuar, askush nuk dëshiron të kërkojë ndihmë nga prindërit”, thotë ai.

Lee nuk kishte nevojë ta bënte këtë. Ai është një nga dhjetëra mijëra koreano-jugorë që marrin rregullisht pagesa direkte nga qeveria thjesht sepse ata janë 24 vjeç.

Kjo është pjesë e projektit të guximshëm ekonomik të një province pranë Seulit, e cila po shpërndan gjithnjë e më shumë para për qytetarët e saj.

Përveç ndihmës direkte financiare për 24-vjeçarët, provinca po ofron pagesa direkte edhe për të gjithë të tjerët për shkak të pandemisë.

Paratë duhet të shpenzohen në bizneset vendase ose ato skadojnë, një politikë që e pëlqejnë shumë pronarët e bizneseve.

“Fondet kanë qenë një ndihmë e madhe për tregun tonë. Ne tani kemi klientë, të cilët zakonisht nuk blinin kurrë në tregun lokal”, thotë Lee Chung-hwan, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve të Gejonxhit.

Projekti drejtohet nga guvernatori i provincës, Lee Jae-myung. Ai beson se përfundimisht të gjithë koreano-jugorët duhet të marrin paga direkte universale.

"Kjo do të ndihmonte konsumin, do të çonte në rritjen e kërkesave për produkte, më shumë punësim dhe më shumë investime. Kjo do të ndodhë në të ardhmen, nuk mund ta shmangim, për shkak të revolucionit të katërt industrial", thotë Lee Jae-myung, Guvernator i provincës Gejonxhi.

Koreja e Jugut, një nga shoqëritë më të përparuara në aspektin teknologjik në botë, është në ballë të këtij revolucioni.

Telefonat celularë dhe teknologjitë e tjera kanë ndryshuar, ose madje edhe eliminuar, shumë ndërveprime mes njerëzve.

Pandemia e ka përshpejtuar këtë prirje, duke krijuar një mjedis pa kontakt fizik.

“Deri më tani, pagesa universale ishte vetëm një teori në librat shkollorë. Por me ardhjen e pandemisë, ne kemi parë mjedisin dixhital dhe eliminimin e kontaktit fizik që solli. Gjithashtu ne kemi parë se si puna fizike nuk nevojitet aq shumë për të prodhuar gjëra. Unë mendoj se kjo ide po merr një shtytje", thotë Lee Jae-myung, Guvernator i provincës Gejonxhi.

Kjo ide ka marrë aq shumë vrull sa që guvernatori Lee është një nga kandidatët kryesorë për t'u bërë president i vendit vitin e ardhshëm. Megjithatë, ai ka shumë kritikë.

“Ajo që mbështetësit e pagesës universale nuk e kuptojnë është se individët kanë nevojë për para dhe shërbime publike. Dhe shteti duhet t'i sigurojë ato shërbime. Por, ato shërbime do të shkatërroheshin nëse miratohet pagesa universale", thotë profesori i Universiteti Miongji, Woo Seok-jin.

Kritikët thonë se pagesa universale është thjeshtë një ide populiste dhe një mjet për të fituar vota. Ata preferojnë programe më të fokusuara të mirëqenies sociale për të ndihmuar vetëm ata në nevojë.

Por pagesat direkte me para në dorë janë duke u bërë një prirje globale. Në Shtetet e Bashkuara, disa pagesa universale stimuluese kanë shkuar direkt në llogaritë bankare të banorëve të kualifikuar.

“Mendoj se ekzistonte një prirje drejt pranimit të pagesave universale në një formë apo në një tjetër. Por, Covid-19 mbase e shpejtoi atë”, thotë Alejandra Grindal, ekonomiste në Organizatën Kërkimore Ned Davis.

Nuk është e qartë nëse kjo prirje do të vazhdojë pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG