Gjykata e Lartë në Beograd, shpalli të enjten vendimin për rehabilitimin e udhëheqësit të lëvizjes çetnike, Dragolub Drazha Mihajlloviç. Me këtë rast gjykata tha se i ka kthyer atij të drejtat civile, të cilat i janë marrë në vitin 1946, kur është gjykuar për bashkëpunim me fuqitë e bishtit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjykatësi Aleksandër Treshnjev tha se gjykata me vendimin për rehabilitim ka përmbysur vendimin e 15 korrikut të vitit 1946 kur ishte dënuar me vdekje për t’u pushkatuar dy ditë më vonë nga komunistët e udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito që kishte marrë pushtetin.
Sipas Ligjit për rehabilitim në Serbi, nuk ekziston e drejta e ankesës ndaj këtij vendimi që nxiti shumë reagime në Serbi dhe tek vendet fqinje.
Oliver Antiç, një këshilltar i presidentit serb Tomislav Nikoliç, ishte pjesë e ekipit ligjor që mbronte rehabilitimin e Drazha Mihajloviçit.
Ndërsa ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç tha se vendimi nuk çon drejt pajtimit dhe të vërtetës, por thellon ndarjet.
Në Kroaci, Bosnjë dhe Mal të zi, është dënuar rehabilitimi i Drazha Mihajloviçit si një përpjekje për rishkrimin e historisë dhe fyerje për viktimat e lëvizjes çetnike.
Oficer i ushtrisë mbretërore jugosllave, Drazha Mihajloviç kishte bashkëpunuar me ushtritë gjermane e italiane në luftë kundër partizanëve të Titos.
Çetnikët e tij u bënë të njohur si kuislingë gjakpirës për shkak të krimeve të kryera ndaj popujve jo serbë por edhe serbëve që bashkëpunonin me partizanët. Emri, shenjat dhe mjekrat e tyre u rivunë në përdorim gjatë viteve të 90 nga paraushtarakët serbë që kryen krime në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.