Lidhje

Protesta në mbarë Serbinë, kundër planeve për një minierë litiumi


Mijëra protestues në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi, bllokuan rrugët kryesore dhe urat të shtunën, për të kundërshtuar hapjen e planifikuar të një miniere të litiumit, me gjithë paralajmërimet e policisë dhe një fushate frikësimi të autoriteteve kundër demonstruesve.

Protestuesit ndaluan trafikun në autostradën kryesore që kalon nëpër kryeqytetin serb. Në qytetin e dytë më të madh të vendit ballkanik, në Nish, rruga kryesore në qendër të qytetit u bllokua, siç u bllokua edhe një urë mbi lumin Danub, në qytetin verior të Novi Sadit.

Në këtë qytet, tifozë huliganë të futbollit hodhën gurë dhe shishe mbi protestuesit, të cilët u përgjigjën duke i ndjekur ata. Një huligan është rrahur rëndë. Në Beograd, persona të maskuar hodhën fishekzjarrë mbi protestuesit.

Policë në uniformë nuk ishin të dukshëm gjatë protestave dy orëshe, të cilat janë demonstratat më masive kundër qeverisë populiste në Serbi në shumë vite.

Kjo ishte protesta e dytë e tillë mbarëkombëtare e organizuar nga grupet për mbrojtjen e mjedisit mes pakënaqësisë në rritje të publikut me sundimin autokratik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Të shtunën e kaluar, protestuesit u përleshën me policinë dhe në një qytet persona të maskuar e të paidentifikuar i sulmuan me shkopinj dhe çekiç.

Grupet për mbrojtjen e mjedisit kanë kritikuar qeverinë populiste të presidentit Vuçiç, se nuk po e lufton mjaftueshëm ndotjen e përhapur në vendin ballkanik. Ata kundërshtojnë veçanërisht dy ligje të miratuara nga parlamenti, që ata i shohin si hedhje të themeleve për një minierë të litiumit nga kompania Rio Tinto në Serbinë perëndimore.

Në një veprim sfidues, presidenti Vuçiç injoroi të shtunën protestat dhe qëndroi në zonën ku kompania ndërkombëtare planifikon të fillojë gërmimet.

Presidenti Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë serbë, i kanë denoncuar protestat dhe pretendojnë se ato financohen nga perëndimi për të destabilizuar vendin dhe për të sjellë opozitën në pushtet.

Shumë protestues u ankuan se oficerët e policisë u shkuan në shtëpi dhe i paralajmëruan se mund të përballeshin me pasoja ligjore dhe gjoba nëse merrnin pjesë në protesta. Veprimtarja Danijela Vujoviç, nga qyteti jugor i Nishit, tha se policia shkoi në shtëpinë e saj në mëngjes, për ta paralajmëruar se protestat paraqesin një "vepër kriminale".

Policia përsëriti të shtunën paralajmërimin e saj se protestat janë të paligjshme dhe se organizatorët do të duhet të bartin të gjitha pasojat e mundshme. Policia po ashtu publikoi një numër të posaçëm telefoni dhe një adresë elektronike për këdo që donte të raportonte "dhunën e shkaktuar nga bllokadat".

XS
SM
MD
LG