Një gjykatë në Beograd dënoi të premten me gjithsej 100 vjet heqje lirie, katër ish pjesëtarë të sigurimit shtetëror serb, për vrasjen në vitin 1999 të gazetarit serb Slavko Çuruvija, i njohur atëbotë për kundërshtimin e regjimit të ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç.
Ish shefi i shërbimit shtetëror të sigurimit të Serbisë, Radomir Markoviç dhe oficeri i këtij shërbimi, Milan Radonjiç, u dënuan me nga 30 vjet heqje lirie secili, ndërsa agjentët e shërbimit të fshehtë. Ratko Romiç dhe Miroslav Kurak me nga 20 vjet heqje lirie.
Slavko Çuruvija, ishte vrarë më 11 prill të vitit 1999, pak ditë fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, për t’u dhënë fund mizorive mbi shqiptarët e Kosovës.
Slavko Çuruvija ishte një kritik i ashpër i ish-udhëheqësit serb dhe për vrasjen e tij prej kohësh ishin fajësuar pjesëtarët e rrethit të ngushtë të Sllobodan Millosheviçit, i cili vdiq më 2006 në Hagë, derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.
Një nga të dënuarit e sotëm, Radomir Markoviç, tashmë është duke vuajtur dënimin prej 40 vjet heqje lirie për vrasjen e ish presidentit të Serbisë, Ivan Stamboliç dhe krime të tjera.
Facebook Forum