Qindra njerëz, të lodhur nga pritja në shi dhe të ftohtë zonën kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë u përpoqën të futen me forcë në Kroaci.
Në rrëmujën e krijuar pati edhe përleshje e incidente dhune, kur njerëzit e stresuar përpiqeshin të futeshin përmes kufirit, ndërkohë që autoritetet kanë lejuar vetëm pak veta, kryesisht familjarë me fëmijë të vegjël të kalojnë.
Disa nga refugjatët u përpoqën të ngrinin fëmijët mbi turmën që të mos shtypeshin nga njerëzit që shtynin drejt kufirit.
Kampet në Kroaci janë mbushur me refugjatë që presin të vazhdojnë rrugën drejt Evropës, dhe si rezultat kalimi i kufirit për emigrantët që vijnë nga Serbia është bllokuar thuajse tërësisht. Hungaria mbylli javën e kaluar kufirin me Kroacinë, duke ndalur lëvizjen e emigrantëve. Tani Kroacia po i dërgon turmat drejt Sllovenisë. Bllokimet e kalimeve po krijojnë turma të nervozuara në pikat kufitare të Ballkanit.
Ndërkaq, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar Çekinë për mbajtje të refugjatëve dhe emigrantëve në kushte poshtëruese. Komisioneri thotë se njoftimet nga kampet e refugjatëve dëshmojnë shkelje të të drejtave të njeriut në shkallë sistematike dhe jo aksidentale. Sipas zyrtarit të OKB-së duket se këto masa bëhen për të dërguar një sinjal që emigrantët e tjerë të mos tentojnë të futen në Çeki.