Lidhje

Përplasje diplomatike ndërmjet Serbisë e Bullgarisë rreth Kosovës


Ministria e Jashtme e Bullgarisë tha të shtunën se e ka thirrur ambasadorin e Serbisë në Sofje për një takim të hënën lidhur me komentet e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ndaj komenteve të kryeministrit bullgar Boiko Borissov rreth Kosovës.

Ministri serb Daçiç, sulmoi ashpër kryeministrin bullgar lidhur me komentet e tij se “kandidati për postin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm, spanjoll, Josep Borrell, duhet të respektojë qëndrimin e BE-së mbi Kosovën dhe jo atë të Madridit.

Në një intervistë me Radiotelevizionin shtetëror të Serbisë, ministri serb tha se kryeministri bullgar nuk duhet t’i jap leksione zotit Borrell.

“Boiko, më lejo të të them një gjë. Qëndrimi i BE-së nuk thotë se Kosova është shtet i pavarur. Ti, Boiko, duhet të respektosh qëndrimin e BE-së, e jo t’i japësh leksione Borrellit”, tha ai. “Kjo ngjan me dyfytyrësi. Jam ngopur me këto gjëra; e të mos flasim se para disa muajsh ai u nderua nga shteti ynë”, tha ministri serb duke ju referuar një çmimi që kryeministrit Borissov i ishte ndarë në shkurt të këtij viti nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimin paqësor dhe marrëdhënieve miqësore mes Serbisë dhe Bullgarisë”.

Të shtunën në mbrëmje ministri serb u tha medieve në Beograd se ka urdhëruar të thirret i ngarkuari me punë i Bullgarisë “për të shmangur keqkuptimet”.

Nga 28 vende anëtare të Bashkimit Evropian, 23 syresh e njohin pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, e cila kundërshtohet nga Serbia.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson një proces, aktualisht të pezulluar të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rolin kryesor e luan shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Spanja e zotit Borrelli është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe emërimi i tij në postin e shefit të politikës së jashtme, që duhet të votohet në Parlamentin Evropian, ka nxitur diskutime rreth rolit të tij në të ardhmen në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG