Ekipi kombëtar i futbollit të Shqipërisë u prit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga mbi 5 mijë qytetarë në atmosferën festive, që përfshiu Tiranën gjatë ndeshjes së futbollit me Serbinë, e vlefshme për eleminatoret e Kampionatit Europian. Aeroplani me lojtarët dhe zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit mbërriti në aeroportin e Rinasit në orën 3.30, pas një fluturimi të jashtëzakonshëm, në mesin e një mikpritje po aq të jashtëzakonshme nga mijëra tifoza e dhjetëra zyrtarë të qeverisë dhe shtetit shqiptar.
Ndeshja e futbollit Serbi-Shqipëri u ndërpre nga gjyqtari në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi në Tiranë se stafi shqiptar respektoi rregullat e Federatës Europiane të futbollit UEFA dhe ato rregulla shtesë, që kërkoi pala serbe. Zoti Duka deklaroi që serbët prishën lojën e futbollit. Kapiteni i ekipit shqiptar të futbollit Lorik Cana deklaroi në Rinas se lojtarët shqiptarë u tradhtuan nga njerëzit, që ishin përgjegjës për sigurinë e tyre.
Pasi fishkëllyen dhe zhurmuan himnin kombëtar të Shqipërisë qysh nga hapja e ndeshjes, në minutën e 41 të ndeshjes së futbollit Serbi -Shqipëri tifozët serbë hynë në fushën e blertë, duke goditur lojtarët shqiptarë, ndërsa gjyqtari ndërpreu ndeshjen. Ndërkaq një flamur shqiptar flututoi mbi stadiumin e Partizanit te Beogradit. Lojtarët shqiptarë dhe ata serbë u përplasën për flamurin, e më pas ndërhynë edhe lojtarë dhe tifozë nga stolat.
Pas ndërprerjes së lojës, ministri i punëve të brendshme Saimir Tahiri deklaroi se qeveria serbe mbante përgjegjësi për sigurinë e jetës, shëndetin e lojtarëve dhe stafit teknik të kombëtares shqiptare të futbollit, ashtu si edhe për sigurinë e jetës së çdo mbështetësi dhe qytetari shqiptar në stadiumin e Beogradit.
Ministri Tahiri u kërkoi homologëve serbë që të marrin urgjentisht masat për sigurinë e të gjithë shtetasve shqiptarë të pranishëm të stadium. Më herët ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati thirri ambasadorin serb në Tiranë dhe i shprehu shqetësimin për gjendjen e krijuar në aeroportin e Beogradit, ku shtetasit shqiptarë u blllokuan për disa orë.
Trajneri i Shqipërisë Xhani de Biasi deklaroi në Rinas se ishte i lumtur për skuadrën kombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi në rrjetet sociale se ishte krenar për lojtarët shqiptarë, të cilët sipas tij, fituan me lojë e me raste për sa pati futboll. Zoti Rama tha se ndjente keqardhje për fqinjët që dhanë botërisht një shfaqje të shëmtuar. Ndërkaq vëllai i kryeministrit përgënjeshtroi njoftimet e mediave serbe se ishte arrestuar nga policia serbe.
Ndërprerja e ndeshjes në Beograd shënoi shpërthimin e festimeve në Tiranë dhe në Prishtinë nga mbi 15 mijë tifozë, të cilët u mblodhën në rrugë e sheshe. Tifozët mbushën me flamuj dhe brohoritje shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin Nënë Tereza. Tifozët shqiptarë ishin ndaluar të hynin në stadiumin Partizani të Beogradit. Nëpër sheshe të qyteteve kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës ndeshja u ndoq në ekrane të mëdha nga mijëra tifozë.
Ndeshja e futbollit mes Serbi - Shqipërisë për eleminatoret e Kampionatit Europian 2016 fillimisht u pezullua pas përleshjeve që shpërthyen në stadium midis lojtarëve dhe tifozëve. Ndërkaq një flamur me harta dhe foto historike shqiptare fluturoi mbi stadium me mjete të telekomanduara.
Lojtarët serbë u përpoqën ta largojnë flamurin por lojtarët shqiptarë e mbrojtën atë. Disa tifozë serbë hynë në fushë dhe u përleshën me lojtarët shqiptarë. Arbitri britanik Martin Atkinson e ndërpreu ndeshjen në minutën e 41-të. Më vonë ndeshja u pezullua "për shkak të një çrregullimi në fushë", siç u shpreh UEFA, federata europiane e futbollit.