Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, do të bëjë udhëtimin e parë drejt Azisë Jugore që kur Presidenti Donald Trump njoftoi strategjinë e tij për luftën në Afganistan. Plani parashikon mijëra forca ushtarake shtesë, si dhe një rol më të zgjeruar për Indinë, ku Sekretari Mattis do të zhvillojë takime të nivelit të lartë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, do ta shoqërojë shefin e Pentagonit në këtë udhëtim.
Shtëpia e Bardhë po e rishikon politikën për Afganistanin në një periudhë ndryshimesh gjeopolitike në rajon.
Kina, me fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike në rritje, po e zgjeron ndikimin e saj drejt Azisë Jugore.
Por, Presidenti Donald Trump parashikon një rol më të madh për Indinë si një fuqi rajonale.
“Duam që të na ndihmojnë më shumë me Afganistanin, në veçanti për ndihmën ekonomike dhe zhvillimin”, tha Presidenti Trump.
Është një propozim që Pakistani, rivali i hershëm i Indisë, e shikon si një kërcënim.
“Ne nuk shohim ndonjë rol politik apo ushtarak për Indinë në Afganistan. Mendoj se vetëm do ta komplikojë situatën dhe nuk do të zgjidhë gjë”, tha Kryeministri i Pakistanit, Shahid Khaqanabbasi.
Por, India po vepron ndërkohë me kujdes, ndërsa ra dakort këtë muaj të ofrojë më shumë ndihmë për forcat mbrojtëse afgane. Ajo ka ofruar deri tani mbi 2 miliardë dollarë ndihma ekonomike për Afganistanin.
Zyrtarët afganë këmbëngulin se dëshirojnë marrëdhënie miqësore me të dyja vendet dhe se pjesa më e madhe e investimeve indiane janë investime të buta.
“Në sektorë si shëndetësia, arsimi, infrastruktura, dhe institucionet demokratike... askush nuk duhet ta kundërshtojë këtë lloj ndihme”, thotë Ahmad Shah Katawazai, punonjës i ambasadës së Afganistanit në Uashington.
Por, janë të shumtë ata që e kundërshtojnë në Pakistan, vendin rival që mund të shtrëngohet të rrisë si kundërpeshë mbështetjen për grupe militante me bazë në Afganistan, thotë Shamila Chaudhary, që ka punuar në administratën Obama për politikat e Azisë Jugore.
“Për rrjedhojë, politika e re për Afganistanin e Presidentit Trump bie në kundërshtim me veten. Nga njëra anë shtojmë presionin ndaj pakistanezëve duke u kërkuar të bëjnë më shumë për SHBA-në, si dhe që t’i japin fund marrëdhënies me këto grupe militante. Nga ana tjetër, duam që indianët të bëjnë më shumë në Afganistan, duke i nxitur kështu pakistanezët”, thotë zonja Chaudhary.
Strategjinë e Sekretarit Mattis për të balancuar rajonin e komplikon më tej edhe Kina.
Kina dhe India ranë dakort kohët e fundit të ulin tensionet prej mosmarrëveshjes së hershme për vijën kufitare.
Kina e ka pritur gjithashtu me pakënaqësi forcimin e shpejtë të marrëdhënies së Uashingtonit me Nju Delin në fushën e mbrojtjes, një marrëdhënie që pritet të zgjerohet më tej gjatë udhëtimit të Sekretarit Mattis.
Facebook Forum