Një organizatë në mbrojtje të gazetarëve dënoi sot me forcë sulmin e dytë me bombë në shtëpinë e kryeredaktorit të Radios Kosovska Mitrovica, Caslav Milisavljeviç në komunën e Zveçanit.
Organizata e Medias për Evropën Juglindore thotë se në orët e para të 27 shtatorit 2010, një paisje shpërthyese u hodh në oborrin e Milisavljeviçit, duke djegur plotësisht makinën e djalit të tij. Asnjë nga anëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpi nuk u plagos.
Sulmi i parë ndaj shtëpisë së Milisavljeviçit u krye më 20 korrik 2010, duke dëmtuar tre makina të parkuara në rrugë. Ende nuk dihet se cilët ishin autorët e atij sulmi.